Gjatë 24 orëve të fundit, në gjithë vendin janë regjistruar 19 vepra penale për “drejtim të pakujdesshëm të automjetit”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme. Shtatëmbëdhjetë persona janë privuar nga liria, ndërsa me një person është zhvilluar bisedë zyrtare.
MPB-ja bëri të ditur se 11 prej të përfshirëve janë ndaluar pasi drejtonin automjete pa dhënë provimin për patentë shofer ose pa e fituar të drejtën e drejtimit. Ata vijnë nga Kumanova, Tetova, Shkupi dhe qytete të tjera. Dy raste përfshijnë të mitur, mes tyre edhe një 16-vjeçar nga fshati Zdunjë, i cili po drejtonte një motoçikletë të tipit moped.
Të lidhura
None found
Në gjashtë raste të tjera, drejtuesit janë konstatuar nën ndikimin e alkoolit. Matjet treguan 3.23 promilë te një 29-vjeçar nga Manastiri, 2.20 promilë te një 40-vjeçar nga Shkupi, 2.03 promilë te një 35-vjeçar nga fshati Niviçan i Koçanit, 1.74 promilë te një 55-vjeçar nga Makedonski Brodi, 1.68 promilë te një 28-vjeçar nga Ohri dhe 1.55 promilë te një 63-vjeçar nga Strumica.
Ministria raportoi edhe për një 20-vjeçar nga Manastiri, i cili u përfshi në aksident trafiku me dëme materiale teksa drejtonte një veturë “Škoda” pa targa dhe pa patentë shofer. Po ashtu, një 29-vjeçar nga Shkupi u kap duke drejtuar automjet pa të drejtë drejtimi dhe me leje qarkullimi të skaduar.
Rastet do të dokumentohen tërësisht, pas së cilës do të paraqiten kallëzimet përkatëse penale. MPB-ja u kërkon pjesëmarrësve në trafik të zbatojnë rregullat dhe ligjet, si dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shofer apo nën ndikimin e alkoolit.
Apel u është drejtuar edhe prindërve dhe kujdestarëve që të mos lejojnë të miturit të drejtojnë automjete pa plotësuar kushtet ligjore, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.








