Gjykata pranon marrëveshjet për fajësi të Haxhi Dërgutit dhe Sali Dakajt; Dakaj kërkon kthimin e 150 mijë eurove

Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë që ish-Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, dhe Sali Dakaj kanë arritur me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Rasti lidhet me veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Në të njëjtën çështje akuzohen edhe Hasan Morina dhe Liridon Fandaj, por procedura ndaj tyre është veçuar.

Të lidhura

None found

Sipas aktakuzës, Dakaj i dha Morinës 150 mijë euro që ky të ndikonte te gjykatësi Latif Xhemaili në vendimmarrjen për një lëndë përmbarimore. Takimi dhe marrëveshja mes tyre, sipas akuzës, u koordinuan nga Fandaj. Aktakuza thotë se Dërguti ishte në dijeni të të gjitha veprimeve, por nuk e raportoi rastin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së mërkurës, prokurori special Valdet Gashi njoftoi se marrëveshja me Dërgutin ishte arritur më 29 tetor 2025, ndërsa ajo me Dakajn më 19 dhjetor 2025. Ai tha se në të dyja rastet janë respektuar dispozitat ligjore në fuqi.

Avokati i Dakajt, Bajram Morina, e mbështeti marrëveshjen. Dakaj e konfirmoi atë, por kërkoi t’i kthehen 150 mijë eurot që, sipas tij, i kanë marrë të akuzuarit Morina dhe Fandaj.

Edhe mbrojtësi i Dërgutit, avokati Ramë Gashi, bashkë me të akuzuarin, konfirmuan marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Gjyqtari Lutfi Shala i sqaroi Dakajt se marrëveshja ishte lidhur mes tij dhe Prokurorisë, jo me personat e tjerë. Më pas, Gjykata vendosi ta pranojë marrëveshjen e arritur mes palëve.

Prokurori Gashi bëri të ditur se marrëveshja për Dakajn parashikon 1 vit burgim dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale “Ushtrim ndikimi”. Dënimi me burg nuk do të ekzekutohet gjatë periudhës verifikuese prej 2 vitesh, me kusht që ai të mos kryejë vepër tjetër penale.

Për Dërgutin, marrëveshja parashikon po ashtu 1 vit burgim, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës verifikuese prej 2 vitesh. Të dy të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre i konfirmuan dënimet e propozuara.

Shala njoftoi se vendimi do të shpallet të hënën.

Në fillim të seancës, gjyqtari kishte sqaruar se procedura ndaj Dakajt dhe Dërgutit ishte veçuar nga ajo ndaj Hasan Morinës dhe Liridon Fondajt, pasi dy të parët kishin arritur më herët marrëveshje për pranimin e fajësisë. Ai tha gjithashtu se mbrojtësja e Morinës e kishte njoftuar Gjykatën se nuk mund të merrte pjesë në seancën fillestare, për shkak të një çështjeje tjetër penale për “Vrasje”.

Seanca e caktuar për 7 tetor 2026 ishte anuluar për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Fandaj.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ngriti aktakuzën më 3 nëntor 2025 ndaj ish-Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti, si dhe ndaj Hasan Morinës, Liridon Fandajt dhe Sali Dakajt, për veprat penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre”.


Shtuar më 4.11.2026 15:21