Autoritetet holandeze po e kërkojnë ndërkombëtarisht Ninoslava Jović, 41 vjeçe, nga Nishi i Serbisë. Ajo dyshohet se ka ndihmuar autorët e një prej grabitjeve më të mëdha të bizhuterive në Evropë, megjithëse, sipas policisë, nuk mori pjesë drejtpërdrejt në thyerjen e vitrinave dhe marrjen e sendeve me vlerë.
Jović është futur në listën e personave më të kërkuar në Evropë. Fotografia dhe të dhënat për identifikimin e saj janë publikuar në faqet zyrtare të policisë holandeze dhe Europol-it. Hetuesit mendojnë se ajo mund të jetë në Serbi: herën e fundit është parë në Nish. Ata nuk përjashtojnë, megjithatë, që të ketë shkuar në një vend tjetër.
Të lidhura
None found
Një shenjë dalluese janë dy tatuazhet në parakrahët e saj: emri “Selena” në të djathtin dhe fjala “Faith” në të majtin. Sipas përshkrimit të policisë, ajo ka sy kafe, buzë të plota dhe flokë natyralisht kafe, që mund të jenë lyer bionde.
Prokuroria holandeze e provincës së Limburgut ofron 20 mijë euro për informacione që çojnë në arrestimin e personave të kërkuar për këtë ngjarje. Krahas Jović, autoritetet kërkojnë edhe katër shtetas të tjerë serbë: Aleksandar Cenić (50 vjeç), Aleksandar Stojiljković (50), Duško Dimitrijević (50) dhe Bratislav Stojanović (41).
Katër burrat dyshohet se i përkasin grupit kriminal Pink Panther, i njohur ndërkombëtarisht për grabitje dyqanesh luksoze dhe vjedhje sendesh me vlerë në vende të ndryshme të botës.
Grabitja ndodhi më 28 qershor 2022 në panairin prestigjioz të artit dhe antikave TEFAF, në Maastricht të Holandës. Sipas medias serbe Blic, vlera e bizhuterive të vjedhura arrin në rreth 40 milionë euro.
Atë ditë, katër burra u afruan te stenda e bizhuterive luksoze duke u paraqitur si vizitorë të zakonshëm. Më pas, ata thyen me çekiçë vitrinat prej xhami dhe morën bizhuteritë. Mes sendeve të grabitura ishte një gjerdan me diamant të verdhë, i vlerësuar në rreth 27 milionë euro. Një pjesë e vogël e tyre u gjet më vonë në Hong Kong, Izrael dhe Botsvanë.
Hetuesit kërkojnë të identifikojnë edhe dy gra që u filmuan pas grabitjes në një automjet tip Opel, të cilin dyshohet se e përdorën autorët pas vjedhjes. Pas një ndalese të shkurtër në Belgjikë, makina u gjet në parkingun e një hoteli në Frankfurt të Gjermanisë.
Kamerat e hotelit regjistruan dy gratë teksa dilnin nga automjeti. Të dyja kishin veshur fustane dhe njëra mbante sandale të kuqe. Policia nuk i konsideron të dyshuara për grabitjen, por dëshiron t’i marrë në pyetje, pasi ato mund të kenë të dhëna të rëndësishme për identifikimin dhe vendndodhjen e personave të arratisur.
Prokuroria holandeze u bën sërish thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e të kërkuarve. Veçmas, kompania e sigurimeve ka ofruar deri në 600 mijë euro shpërblim për informacione që çojnë në gjetjen dhe rikuperimin e bizhuterive të vjedhura.






