I mituri arrestohet në Moskë pas kërcënimit ndaj kompleksit muzeor Tsaritsyno

Një i mitur është ndaluar nga autoritetet ruse, pasi dyshohet se kishte kërcënuar me sulm terrorist kompleksin muzeor Tsaritsyno në Moskë.

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) bëri të ditur se i mituri kishte publikuar në Tik Tok fotografi me veshje taktike, maskë, kapuç, syze dielli dhe kufje. Në imazhe dukej edhe një objekt i ngjashëm me armë automatike. Ai kishte shpërndarë gjithashtu fotografi të bëra në kompleksin muzeor, të cilat i shoqëronte me shprehjen: “Gjeta një vend”.

Të lidhura

None found

Të shtunën, ambasada amerikane paralajmëroi për një “kërcënim të besueshëm për një ngjarje me viktima masive” në zonën e muzeut. Washingtoni njoftoi se po bashkërendonte me autoritetet ruse dhe u këshilloi qytetarëve të shmangnin zonën, të tregoheshin vigjilentë dhe të mos shkonin në vende ku mblidheshin shumë njerëz.

Pas alarmit, muzeu dhe parku Tsaritsyno u mbyllën të shtunën në mbrëmje për arsye teknike, ndërsa vizitorët u evakuuan. Sipas mediave ruse, kompleksi u hap sërish normalisht më 1 nëntor. Raportohet se edhe ambasada gjermane në Rusi kishte paralajmëruar për një rrezik të mundshëm sigurie në atë zonë.

Rasti ka sjellë sërish në vëmendje paralajmërimet e ambasadës amerikane për sulmin terrorist të marsit 2024 në sallën e koncerteve Crocus City Hall, pranë Moskës. Sulmi i 22 marsit la mbi 150 viktima dhe qindra të plagosur.


Shtuar më 1.11.2026 19:32