Kryeministri Edi Rama ftoi studentët të ulen në dialog dhe prezantoi një sërë masash mbështetëse. Ndër to janë rritja në 25 mijë lekë të reja e bursës për studentët nga familje në vështirësi ekonomike dhe shtrirja e kësaj mbështetjeje edhe për ata që ndjekin studimet master.
Ai njoftoi gjithashtu masa lehtësuese për strehimin, kredi me interes zero ose 3%, si dhe mundësi punësimi për studentët me gjysmën e pagës minimale.
Të lidhura
None found
Fjala e Ramës:
Dua t’u drejtohem posaçërisht studentëve.
Gjatë javëve të fundit ju kam ndjekur me kujdes. Kam pasur komunikime të herëpashershme me disa prej jush, si edhe me pedagogë e prindër që më kanë shkruar ose me të cilët kam biseduar për t’u informuar më mirë.
Po e nis duke thënë se nuk mund të pranohet atmosfera e frikës që një pakicë e dhunshme ka krijuar në mjediset universitare dhe në telefonat tuaj, me qëllim që shumica të dalë në protestë ose të mos zhvillojë mësim. Po aq i papranueshëm është bojkotimi i mësimit nga disa pedagogë të politizuar, të cilët kërkojnë t’i përdorin studentët si mish për top; nuk është hera e parë që veprojnë kështu.
Për çështjen e fundit do të ndërhyjmë në ligjin përkatës, pasi të konsultohemi me forumin e rektorëve. E drejta për të kritikuar, protestuar dhe zhvilluar grevë të ligjshme është diçka tjetër nga arbitrariteti dhe imponimi ndaj atyre që duan të ndjekin mësimin.
Përtej kësaj, dua të ndaj drejtpërdrejt me ju dhe me të gjithë shqiptarët disa fakte të thjeshta.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se shumë prej familjeve tuaja po përballen me vështirësi, të rënduara nga rritja e kostos së jetesës. Paketa e masave lehtësuese që sapo paraqita është një tregues i qartë i kësaj vetëdijeje.
E kuptoj edhe situatën tuaj. Nuk kam ndërmend t’ju krahasoj me brezat paraardhës, por për një çështje dua të jem i hapur:
Nuk e pranoj gjuhën e forcës, imponimit apo dhunës. As vlerat e qytetërimit europian, traditën shqiptare të dëgjimit me radhë dhe parimet e bashkëjetesës demokratike nuk i vë në diskutim me askënd.
Kur isha pedagog i ri në Akademinë e Arteve, u rebelova së bashku me studentë e pedagogë të tjerë kundër një regjimi brutal. Kërkonim liri dhe dialog të hapur, jo imponim e dhunë ndaj mendimit ndryshe. Ajo lëvizje, e guximshme dhe paqësore, u përhap në gjithë universitetin. Studentët e ulën në dialog Presidentin komunist dhe prej atij procesi nisi pluralizmi politik.
Më vonë, si drejtues i opozitës, i kam dërguar letra për dialog edhe paraardhësit tim, i cili e trajtonte bisedën me kundërshtarin sikur të ishte poshtërim.
Edhe si kryeministër, pas protestës masive të vitit 2018, e bashkërendova me studentët përmes dialogut përpjekjen për të hartuar Paktin për Universitetin. Edhe në atë rast u deshën disa javë që bisedimet të nisnin. Ndërkohë, po ata pedagogë të mbrapshtë, nga një neo-komunist i verbër te disa demokratikas të verbuar, së bashku me të rinj që i ndiqnin si ithtarë të idhujve të rremë, thoshin atë që thonë edhe sot: “Nuk ka dialog, plotësoni pikat tona!”.
Por liria nuk mund të funksionojë me ultimatume. Përndryshe, në vend të bashkëjetesës demokratike do të kishim mbijetesë në xhungël. Nuk mund të pranohet logjika “bëni si themi ne, ose do të thyejmë e djegim gjithçka, nuk do të shkojmë në mësim, por nuk duam të marrim mungesa”.
Ju ftoj të takohemi ku dhe kur të dëshironi, për të diskutuar çfarë mendoni se duhet të bëjmë më shumë dhe çfarë duhet të bëj unë më mirë për ju, universitetin dhe Shqipërinë.
Ju lutem, mos u besoni më pretendimeve të padrejta që përsërisin disa prej atyre që morën gurët dhe duartrokitjet e të tjerëve në ekranet e korruptuara: se gjoja nuk ju kam dëgjuar gjatë katër muajve të protestës paqësore dhe se, për këtë arsye, dhuna ishte e vetmja zgjidhje. Në të vërtetë, i kam dëgjuar më shumë se kushdo tjetër. Ata ishin çdo natë poshtë dritares sime, ndërsa unë punoja në zyrë, por mesazhi i tyre mbeti i njëjtë që nga dita e parë: “Nuk ka dialog, jep dorëheqjen!”.
I mbaj mend përmendësh fjalimet e tyre, por në atë kakofoni zemërimi dhe folklorizmi nacionalist nuk arrita të dalloj vizion, ide apo kritika sfiduese. Zoti mos e dhëntë që profetët e kombit shqiptar të jenë rrotulluar në varr prej tyre.
Për studentët që nuk i dinë përfitimet që sjell Pakti për Universitetin, si edhe për ata që mund të ndikohen nga agjitatorë të zotë në Instagram e TikTok për të bërë humor, por që nuk merren me llogari, shifra e fakte, po rendis disa të dhëna:
– Sot, 60% e studentëve, ose 6 në 10 prej tyre, marrin të paktën një formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë nga shteti, falë Paktit.
– Bursa për rezultate të larta në studime u jepet 4118 studentëve.
– Edhe 4648 studentë përfitojnë bursë si fëmijë të familjeve në nevojë.
– 434 studentë të shkëlqyer marrin çdo muaj bursë sa një pagë minimale.
– Tarifa universitare u është hequr plotësisht 10152 studentëve.
– Për 27050 studentë të tjerë, qeveria mbulon 50% të tarifës së studimit.
Këto shifra tregojnë se qeveria financon tre të katërtat e universiteteve publike. Në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, ku një grup studentësh kanë ndërprerë mësimin prej dy javësh dhe kanë bllokuar “Rrugën e Durrësit”, duke penguar punën dhe lëvizjen e qytetarëve, tarifa e studimit është më pak se 20% e kostos për çdo student. Me mbështetjen e Paktit për Universitetin, qeveria mbulon mbi 80% të kostos së studimeve për studentët e mjekësisë, pa përfshirë ata që përfitojnë përjashtim të plotë ose përgjysmim të tarifës.
Duhet kujtuar se këto para vijnë nga kontributet e bizneseve, përfshirë ato në “Rrugën e Durrësit” që kanë qëndruar të mbyllura për shkak të gurëve, si dhe të subjekteve të tjera të prekura nga bllokimi i qarkullimit të mallrave e shërbimeve. Ato vijnë edhe nga qytetarë e biznese në Tiranë e në gjithë Shqipërinë, të cilëve javët e dhunës dhe anarkisë u kanë cenuar qetësinë dhe u kanë ulur punën e të ardhurat.
Në Tiranë, pagesat e studentëve për konviktet mbulojnë më pak se një të tretën e kostos vjetore. Kjo nuk përfshin investimet e kryera dhe ato që do të vijojnë për të shtuar kapacitetet dhe për të përmirësuar cilësinë. Meqë ra fjala, janë negociuar dhe miratuar prej kohësh edhe 100 milionë Euro të tjera për konviktet.
Pakti për Universitetin nuk është një postim në Instagram apo TikTok dhe as një premtim elektoral i harruar i partive që ofrojnë gjëra të pamundura, duke e ditur se nuk do t’i realizojnë kurrë. Ai është marrëveshja e arritur mes nesh, universiteteve dhe studentëve të vitit 2018, përfitimet e së cilës i merrni edhe ju sot.
Nëse dëshironi ta rishikojmë Paktin dhe të lini një kontribut për studentët që vijnë pas jush, jeni të mirëpritur. Këtë mund ta bëjmë përmes dialogut, me mirëkuptim dhe durim. Jam gjithmonë i gatshëm të takohemi në vendin dhe kohën që zgjidhni ju.
Lajmi i mirë që kemi për ju, si rezultat i rritjes ekonomike, është rritja me 15 mijë lekë të reja e bursës për të gjithë studentët nga familje në vështirësi ekonomike. Ajo shkon në 25 mijë lekë dhe praktikisht është sa gjysma e pagës minimale. Përfitimi do të shtrihet edhe për studentët e nivelit master.
Projektligji i ri për strehimin, i cili ndodhet tashmë në Parlament, parashikon masa lehtësuese për studentët dhe çiftet e reja. Ato përfshijnë qira të bashkëfinancuara nga qeveria dhe kredi me interes zero ose 3%, sipas kritereve dhe kushteve që përcakton ligji.
Do të ketë gjithashtu një risi për praktikat e punës: bizneset do të kenë detyrimin, sipas një formule të caktuar, të punësojnë studentë me gjysmën e pagës minimale.
Kaq për studentët, për sot.
Gjatë ditëve të ardhshme do të krijojmë një hapësirë digjitale për dialog. Ajo do t’u japë mundësi të komunikojnë me mua atyre që kanë frikë, edhe në vitin 2027. Është e vështirë të kuptohet frika për të shprehur mendimin lirshëm, kur pretendohet se mund të merret në dorë Shqipëria. Faqja do t’u shërbejë veçanërisht atyre që druhen nga dhunuesit në internet dhe do të na ndihmojë mua dhe kolegët e mi të dëgjojmë e të mbledhim sa më shumë mendime nga studentët.
Miq,
Shqipëria është tepër e vogël për t’u kthyer në një arenë konfliktesh primitive. Rritja e mëtejshme e ekonomisë dhe krijimi i mundësive për të shpërndarë më shumë të ardhura kërkojnë stabilitet, siguri, qetësi e punë. Duhet punë, mund dhe këmbëngulje, pa pushim.
Vazhdimi i protestës së flamengove nga lloj-lloj sorrash e korbash, të etur për konflikt, pushtet, përçarje shoqërore e fetare, destabilizim dhe hakmarrje për suksesin ndërkombëtar të Shqipërisë, i bëri dëm turizmit. Si pasojë, u pakësuan të ardhurat që mund të kishim siguruar nga sezoni veror për t’i rishpërndarë.
Ngjarjet e zhurmshme të javëve të fundit nuk kanë mundësi ta largojnë qeverinë, por kanë goditur ekonominë dhe Shqipërinë. Prej dy javësh vendi po përcjell pamje që nuk i tërheqin turistët, por i largojnë; që nuk nxisin investimet, por i frenojnë; dhe që nuk e sjellin paranë, por e largojnë nga vendi.
Për çfarë po bëhet kjo dhe interesat e kujt mund ta justifikojnë një konflikt të tillë të verbër?
Nuk dua të flas sot për ata që janë përpara, brenda apo pas kësaj situate të ndërlikuar. Por një gjë është e qartë:
Kjo përplasje nuk i sjell asgjë të mirë Shqipërisë. Përkundrazi, dëmton të gjithë ata që jetojnë në këtë vend dhe duan të ndërtojnë të ardhmen me punë të ndershme, të rrisin fëmijët e tyre këtu dhe të jetojnë në një shtëpi të përbashkët që mund të jetë më e mirë për të gjithë.
Unë jam këtu për këta njerëz. Kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse do të qëndrojnë në detyrë deri në ditën e fundit të mandatit.
Të tjerët do të më kenë përballë: të gatshëm për dialog kur të duan e ku të duan, por edhe për zbatimin e ligjit dhe të rregullave të bashkëjetesës demokratike sa herë që shkelin ligjin dhe rendin demokratik të vendit.
Shteti mund të vonojë ndonjëherë, por nuk harron kurrë!
Nuk jam bloger apo influencer dhe detyra ime nuk është të fitoj pëlqime. Përgjegjësia ime është ta drejtoj Shqipërinë drejt synimit historik, tryezës së Bashkimit Europian. Prandaj nuk ndalem dhe nuk do të na ndalë askush. Kush jemi ne? Ne jemi shumica e shqiptarëve!






