Bizneset dhe tatimpaguesit privatë me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë do të kenë mundësi të marrin kompensim nga shteti për dëmet materiale të shkaktuara gjatë protestave të dhunshme të mbajtura nga 13 deri më 22 tetor 2026. Skema mbulon vetëm dëmet që nuk përfshihen në sigurime, ndërsa shteti do të kërkojë më vonë rikthimin e shumave nga personat përgjegjës.
Këshilli i Ministrave ka miratuar aktin normativ që përcakton mënyrën e kompensimit për bizneset dhe tatimpaguesit privatë të dëmtuar gjatë tubimeve të dhunshme në periudhën 13–22 tetor 2026.
Të lidhura
None found
Qëllimi i aktit është dëmshpërblimi i plotë i subjekteve që plotësojnë kushtet e përcaktuara, pa prekur përgjegjësinë civile dhe detyrimet ligjore të personave që kanë shkaktuar dëmin.
Përfitues mund të jenë persona fizikë ose juridikë privatë që ushtrojnë veprimtari si biznese apo tatimpagues dhe që, sipas deklaratës vjetore të vitit 2025, kanë pasur qarkullim deri në 14 milionë lekë.
Skema shtetërore lidhet me dëmet materiale të shkaktuara në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve të zhvilluara nga 13 deri më 22 tetor 2026.
Kompensimi jepet vetëm për pjesën e pasurisë që nuk mbulohet nga sigurimi. Kur një pasuri është e siguruar, përgjegjësia fillestare për dëmshpërblimin i takon shoqërisë së sigurimit.
Nëse polica nuk përfshin dëmet që vijnë nga trazirat apo tubimet e dhunshme, ose nëse mbulimi është vetëm i pjesshëm, shteti kompenson pjesën e pambuluar, në përputhje me rregullat e aktit normativ.
Subjekti i dëmtuar duhet ta paraqesë kërkesën pranë administratës tatimore. Aplikimit duhet t’i bashkëngjiten provat për vlerën e dëmit, dokumentet që lidhin dëmin me protestën dhe deklarata për statusin e sigurimit të pasurisë.
Administrata tatimore kontrollon dokumentacionin, përfshirë faturat, inventarin dhe të dhënat e qarkullimit, dhe ia përcjell dosjen Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit brenda 5 ditëve punë.
Më pas, Ministria i kërkon Policisë së Shtetit të konfirmojë brenda 30 ditëve nëse dëmi është shkaktuar realisht nga protestuesit gjatë tubimit të dhunshëm.
Pas marrjes së konfirmimit nga Policia, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit miraton kërkesën dhe transferon shumën e kompensimit në llogarinë bankare të subjektit brenda 30 ditëve. Pagesa mund të kryhet edhe kur personat që kanë shkaktuar dëmin nuk janë identifikuar ende.
Pas pagesës së dëmshpërblimit për qytetarin ose biznesin, shteti ka të drejtë të kërkojë kthimin e shumës nga personat përgjegjës ose organizatorët e tubimit të dhunshëm.
Në momentin që identifikohet shkaktari i dëmit, Avokatura e Shtetit e njofton atë për shlyerjen vullnetare të detyrimit brenda 30 ditëve. Nëse pagesa nuk kryhet, ndaj tij ngrihet padi civile.
Kur dëmi është shkaktuar nga të mitur ose nga persona të pazotë për të vepruar, detyrimi financiar u ngarkohet prindërve ose kujdestarëve të tyre.
Nëse personi i dyshuar shpallet i pafajshëm nga gjykata ose procedimi penal pushohet, Avokatura e Shtetit tërhiqet nga padia civile.
Akt normativ parashikon gjithashtu masa administrative për personat ndaj të cilëve është vlerësuar i ligjshëm arresti, kur një tubim i paligjshëm është urdhëruar të shpërndahet dhe gjatë tij janë kryer vepra penale.
Gjobat vendosen nga drejtoria vendore e Policisë së Shtetit. Personat e ndëshkuar mund ta kundërshtojnë masën në gjykatë, duke respektuar afatet dhe procedurat e përcaktuara në ligjin për mosmarrëveshjet administrative.







