Serbia mund të hasë pengesa serioze në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nëse nuk harmonizon politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të Unionit, veçanërisht lidhur me Rusinë dhe luftën në Ukrainë. Këtë qëndrim e ka shprehur komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos.
E pyetur nëse Beogradi mund të bëhet pjesë e BE-së pa vendosur sanksione ndaj Moskës, Kos tha se përputhja me qëndrimet e Unionit për çështjet strategjike është një kusht i rëndësishëm për avancimin e integrimit evropian.
Të lidhura
None found
“Një vend që nuk është në një linjë me ne për çështje strategjike, si politika e jashtme dhe e sigurisë, përfshirë luftën e përbashkët kundër Rusisë dhe, në veçanti, luftën ruse në Ukrainë, nuk do të mund të përparojë. Kjo do të jetë shumë, shumë e vështirë”, deklaroi ajo për TVP World.
Megjithatë, komisionerja sqaroi se Brukseli ende nuk ka zhvilluar diskutime me qeverinë e re serbe për këtë temë.
“Fillimisht duhet të krijohet qeveria e re dhe më pas do të vlerësojmë se si dhe nëse mund të ecim përpara në këtë drejtim”, u shpreh Kos.
Qëndrimi i saj tregon peshën që Bashkimi Evropian i jep përafrimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së vendeve kandidate me atë të Unionit. Në marrëdhëniet ndërmjet Brukselit dhe Beogradit, qëndrimi ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë vazhdon të mbetet një çështje thelbësore.






