Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se personi i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt ishte i regjistruar më herët në Policinë e Kosovës me një dosje të rëndë.
Gjatë seancës së sotme, Sveçla ka vënë në pikëpyetje vendimet institucionale që, sipas tij, sollën ndarjen e Arlindës nga fëmija dhe humbjen e së drejtës mbi pronën. Ai ka thënë se, në vend që viktima të mbrohej, zhvillimet kanë marrë një drejtim të kundërt.
Të lidhura
None found
“Arlinda ishte ndarë nga fëmija i saj. Është e paqartë se si një institucion vendosi që fëmija t’i merrej nënës dhe t’i besohej babait, i cili më pas këtë përgjegjësi ia kaloi vëllait të tij, ndonëse ky i fundit kishte më herët një dosje të rëndë në Policinë e Kosovës. Ndërkohë, ligji përcakton se, pothuajse automatikisht, kujdestaria e fëmijës i besohet nënës”, ka deklaruar Sveçla.
Ministri është ndalur edhe te çështja e pronës, duke theksuar se, bazuar në informacionet që ka, ajo ishte në pronësi të përbashkët të çiftit.
“Sipas të dhënave që kam, prona u përkiste të dy bashkëshortëve. Është e habitshme se si u mor vendimi që ajo të privohej nga prona. Në vend që dhunuesi dhe kërcënuesi të arrestohej, ndërsa gruaja të garantonte sigurinë në pronën e saj bashkë me fëmijën, ka ndodhur e kundërta”, ka thënë ai.
Sveçla e ka përshkruar humbjen e jetës si formën më të rëndë të privimit dhe ka njoftuar se institucionet e sigurisë po punojnë intensivisht për kapjen e shpejtë të të dyshuarit.
“Privimi më i rëndë është ai i jetës. Jemi mobilizuar në maksimum që krimineli të arrestohet sa më parë”, ka deklaruar ministri.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se, me kërkesën e tij, rasti është përcjellë në nivelet më të larta të Policisë së Kosovës. Sveçla ka kërkuar që hetimi të merret nga Prokuroria Speciale dhe jo nga prokuroria rajonale.






