Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua sot me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, me të cilët diskutoi zhvillimet më të fundit në vend.
Gjatë bisedës, Hoxha theksoi se Qeveria mbetet e vendosur në mbrojtje të lirive demokratike, përfshirë të drejtën themelore për të zhvilluar manifestime paqësore. Sipas tij, dhuna, vandalizmi dhe dëmtimi i pronës publike apo private nuk mund të konsiderohen mjete të ligjshme të shprehjes politike ose të çdo forme tjetër shprehjeje. Ky parim, nënvizoi ministri, është i vlefshëm në Shqipëri dhe në të gjithë Evropën.
Të lidhura
None found
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe ruajtjes së funksionimit institucional, respektimit të shtetit të së drejtës, si dhe garantimit që veprimet e autoriteteve publike të jenë të ligjshme dhe proporcionale.
Ministri rikonfirmoi se Qeveria është e gatshme të zhvillojë dialog në çdo kohë, në çdo vend dhe me këdo që nuk ka marrë pjesë në akte dhune. Ai e përshkroi dialogun si një vlerë të demokracisë dhe si rrugën më të përshtatshme për të kapërcyer ndasitë, për të trajtuar shqetësimet dhe për të vijuar së bashku përpara.
Duke folur për integrimin evropian, Hoxha deklaroi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektiv strategjik kombëtar.
“Momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë tonë dhe jo të na shmangin nga reformat, standardet demokratike dhe përgjegjësitë që burojnë nga ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.
Hoxha çmoi komunikimin e hapur me partnerët evropianë dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Shqipërisë, në kuadër të synimit të përbashkët për një të ardhme brenda Bashkimit Evropian.






