Mustafa Dauti: Në dy vite Dogana ka bllokuar rreth 400 kg drogë, 5 kg ar dhe mbi 2 milionë euro

Zv.drejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ishte i ftuar në emisionin “PodGo”, ku foli për veprimtarinë e doganierëve, kushtet e punës, si dhe mallrat që tentohen më shpesh të kontrabandohen.

Sipas Dautit, institucioni po funksionon me angazhim dhe seriozitet të lartë, duke e përshkruar këtë si një nga periudhat më efikase të Doganës.

Të lidhura

None found

Gjatë dy viteve të fundit, Dogana ka sekuestruar rreth 400 kilogramë drogë, afërsisht 5 kilogramë ar dhe më shumë se 2 milionë euro para kesh. Gjithashtu, janë konfiskuar mbi 50 mijë ilaçe.

Dauti deklaroi se kontrollet e shtuara synojnë mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve. Përveç kontrolleve në pikat kufitare, në terren vepron edhe njësiti mobil, i cili kryen kontrolle të paparalajmëruara në rrugë.

Ndër produktet që kontrabandohen më shpesh, ai përmendi drogën, arin, cigaret, barnat dhe artikuj të ndryshëm tekstili. Ai shtoi se Dogana kujdeset veçanërisht që në treg të mos hyjnë produkte jocilësore, ndërsa ekspertët e institucionit verifikojnë standardet e tyre për të mbrojtur shëndetin e njerëzve.

Paratë e sekuestruara dërgohen në Bankën Popullore, ndërsa droga dhe armët i dorëzohen Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku më pas asgjësohen. “Jemi duke punuar me përkushtim dhe seriozitet, sepse gjithçka është në dobi të shtetit dhe qytetarëve. Mendoj se sekuestrimi i mbi 50 mijë ilaçeve dhe sasive të tjera të konfiskuara nuk është një punë e vogël”, tha Dauti.

I pyetur për procedurën e importimit të automjeteve, zv.drejtori shpjegoi se Dogana përdor një platformë të posaçme ku regjistrohen të gjitha të dhënat e veturës. Pasi ajo paraqitet në terminalet doganore, sistemi përcakton automatikisht shumën që duhet paguar.

Ai theksoi se sistemi i ri nuk lejon manipulime, pasi ekzistojnë kontrolle që verifikojnë nëse i njëjti automjet është zhdoganuar me të njëjtin çmim. Dauti shtoi se për keqpërdorime të kryera në të kaluarën ka pasur raste të panumërta të dërguara në Prokurori.

Lidhur me porositë online nga jashtë vendit, Dauti tha se kompanitë e huaja i paguajnë tatimet ndaj shtetit. Ai sqaroi se në dhjetor të vitit të kaluar ndryshoi ligji për këto porosi: më herët, për dërgesat deri në 22 euro nuk kishte asnjë detyrim, ndërsa tani TVSH-ja duhet paguar për produktet deri në 90 euro. Për vlerat mbi 90 euro aplikohet edhe detyrimi doganor, i cili përfshihet në çmimin e produktit dhe nuk paguhet veçmas nga qytetarët.

Dauti bëri të ditur gjithashtu se doganierët e Maqedonisë së Veriut marrin trajnime brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me organizata të huaja./Telegrafi/