Qeveria e Kosovës: SHBA-ja do të mbulojë shpenzimet për strehimin e afganëve

Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbulojë të gjitha shpenzimet për afganët që do të strehohen në vende të ndryshme të botës – përfshirë edhe në Kosovë – derisa të përfundojnë procedurat ligjore që ata të vendosen në SHBA.

Kështu u tha në një takim të organizuar nga Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy R. Sherman dhe Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një njoftim për media nga zyra e Kurtit, thuhet se në takim me përfaqësuesit e dhjetëra shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, SHBA-ja shprehu “vlerësimin e thellë për shtetet mike, duke përfshirë këtu edhe Kosovës, që kanë treguar vullnetin dhe ofruar gatishmërinë e tyre për të strehuar përkohësisht qytetarët afganë, aplikantë në procesin për ‘Viza Speciale të Imigrimit’ (SIV) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talibanët morën kontrollin e Afganistanit.

Megjithatë, ende nuk është bërë e ditur se sa afganë do të strehohen në Kosovë dhe kur do të arrijnë ata.

“Ekipet përkatëse të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në komunikim të vazhdueshëm në lidhje me hollësitë e strehimit të tyre”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Zyra e kryeministrit Kurti.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Nga shtetet e rajonit, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shprehur të gatshme që të strehojnë afganët që kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së, të NATO-s dhe që kanë punuar për organizata të huaja./REL


Shtuar 21.08.2021 10:36