Nikolloski: Kuota për punëtorët e huaj mund të arrijë në 20 mijë vitin e ardhshëm dhe në 50 mijë deri në 2030

Maqedonia e Veriut përballet me vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore, ndaj rritja e kuotës për punëtorët e huaj nga 10 mijë në 13 mijë është një vendim i arsyeshëm, deklaroi dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Komunikacionit, Aleksandar Nikolloski.

Të lidhura

None found

Ai vlerësoi se nevoja për punonjës nga jashtë do të jetë edhe më e madhe gjatë vitit të ardhshëm.

“Sipas meje, vitin e ardhshëm kuota duhet të rritet në 20 mijë, ndërsa deri në vitin 2030 duhet të arrijmë në 50 mijë punëtorë të huaj në vit që do të punojnë në Maqedoni, nëse synojmë të ruajmë këtë nivel të rritjes së BPV-së”, u shpreh Nikolloski mbrëmë në emisionin “360”. Ai shtoi se “Bechtel dhe Enka” nuk kanë më mungesë punëtorësh, pasi kuota u rrit, ndërsa më herët u mungonin 670 punonjës.

Për vitin 2026, Qeveria ka përcaktuar një kuotë prej 10.000 lejesh pune për shtetasit e huaj, e cila do të fillojë të zbatohet më 16 janar. Në total, 9.750 leje janë parashikuar për punësim të rregullt, 200 për të huaj të dërguar dhe 50 për punë sezonale. Nga lejet e punësimit të rregullt, 4.500 u dedikohen punëtorëve të rinj, ndërsa 5.250 kanë të bëjnë me vazhdimin e lejeve ekzistuese.

Të dhënat tregojnë se numri i punëtorëve të huaj me leje qëndrimi ka arritur në 6.128 gjatë vitit 2025, ose tre herë e gjysmë më shumë se pesë vjet më parë, kur leje të tilla kishin marrë 1.704 persona. Kërkesa më e lartë për punonjës të huaj vërehet në ndërtim, industri, mikpritje dhe tregti. Ndër shtetet prej të cilave vijnë më shumë punëtorë janë Bangladeshi, Nepali, India, Turqia, Kina dhe Filipinet.


Shtuar më 20.10.2026 09:56