Për Iva Mihaillovën (23) nga Koçani, e akuzuar në një proces gjyqësor për një aksident trafiku me pasoja fatale në Koçan, Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të MPB-së, Mihaillova Iva (23), vajza e Simeonit dhe Hristinës, të dy nga Koçani, është shpallur në kërkim me urdhërarrest qendror dhe ndërkombëtar. Urdhërarresti mbështetet në kërkesën e Gjykatës Themelore të Koçanit për vepër penale sipas nenit 300 paragrafi 4 dhe nenit 297 paragrafi 3 të Kodit Penal.
Televizioni bullgar BTV raportoi në mëngjes se Mihailova kishte kaluar kufirin maqedono-bullgar së bashku me avokatin e saj bullgar, Nikolaj Dimitrov. Duke folur për këtë televizion, ajo e shpjegoi vendimin për t’u kthyer në Bullgari me përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore.
Për rastin reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, e cila bëri të ditur se nuk kishte pasur informacion paraprak dhe pretendoi se nuk ishte përfshirë në organizimin e kthimit të saj në Bullgari.
Pas raportimeve të disa mediave se Mihaillova ishte pritur me nderime të larta në Bullgari, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut e thirri sot ambasadorin bullgar në një bisedë zyrtare, për t’i kërkuar llogari lidhur me pritjen e saj. /Telegrafi/







