Pesë qendërmbrojtësit e diasporës që mund t’i japin më shumë forcë Kosovës

Problemet e Kosovës në repartin defensiv janë bërë më të dukshme gjatë dy viteve të fundit, sidomos në rastet kur njëri prej mbrojtësve kryesorë mungon. Edhe kur pjesa tjetër e skuadrës përpiqet të mbulojë boshllëkun, niveli i “Dardanëve” në prapavijë pëson rënie.

Të lidhura

None found

Një situatë e tillë u vërejt gjatë ndeshjeve të fundit kualifikuese të Ligës së Kombeve. Në mungesë të Albian Hajdarit, Franco Foda u detyrua ta aktivizonte Mërgim Vojvodën në qendër të mbrojtjes, ndërsa në krahun e djathtë luajti Ermal Krasniqi.

Ndërkohë, Fidan Aliti ka përfunduar karrierën, kurse Kreshnik Hajrizi vazhdon të jetë jashtë, pasi nuk është rikuperuar ende plotësisht nga dëmtimi i ligamentit të gjurit, të pësuar disa muaj më parë.

Pavarësisht këtyre mungesave, Kosova ka ende mundësi ta ndjekë politikën e saj të viteve të fundit dhe të afrojë futbollistë të rinj nga diaspora. Shumë prej tyre kanë prindër shqiptarë dhe mund të luajnë për “Dardanët”, pasi nuk kanë debutuar me ekipin e parë të një kombëtareje tjetër.

Këta janë pesë lojtarët që mund të jenë alternativa të vlefshme për Kosovën dhe të ndihmojnë në forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes.

Lindrit Kamberi – Zurich

Kapiteni i Zurichut, Lindrit Kamberi, shihet si një prej afrimeve më të mundshme të ardhshme për Kosovën. Përveç rolit si qendërmbrojtës, ai mund të luajë edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Kamberi është rritur te Zurichu, ku ka qenë pjesë që nga fëmijëria. Ai ka dhënë vazhdimisht paraqitje të mira dhe këtë sezon është renditur ndër futbollistët më të dalluar të ekipit.

Futbollisti nuk e ka mbyllur derën për përfaqësimin e Kosovës, ndërsa me përzgjedhësin Franco Foda ka pasur bashkëpunim më herët, kur gjermani drejtonte Zurichun.

“Jo, nuk kam pasur kontakte me Lindritin. E njoh mirë. E kam pasur lojtar te Zurichu. Ia njoh edhe kualitetet, por të shohim në të ardhmen”, deklaroi së fundmi Foda, kur u pyet për mundësinë që Kamberi të luajë me fanellën e “Dardanëve”.

Bleon Kurtulus – Halmstadt

Vetëm 19-vjeç, Bleon Kurtulus po bëhet një emër i rëndësishëm në futbollin suedez. Mbrojtësi po aktivizohet rregullisht në elitën e Suedisë dhe deri tani ka lënë përshtypje pozitive.

Gjatë këtij edicioni, ai ka regjistruar 423 minuta në 14 ndeshje me Halmstadt, ndërsa ka shënuar edhe një gol.

Kurtulus ka luajtur për Suedinë U17, U19 dhe tani është pjesë e përfaqësueses U21. Ai është gjithashtu vëllai i Edvinit, ish-kapitenit të Kosovës U21.

Elison Makolli – Aalborg BK

Elison Makolli është një tjetër qendërmbrojtës i ri që po ecën përpara në karrierë. 21-vjeçari ka gjetur formë të mirë pas transferimit te Aalborg BK, një prej klubeve më të mëdha të Danimarkës.

Ashtu si Kurtulus, edhe Makolli ka kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Suedisë, duke luajtur për U17, U18, U19, U20 dhe aktualisht për U21.

Dy futbollistët shpesh formojnë dyshen qendrore të mbrojtjes suedeze. Në këtë edicion, Makolli ka luajtur në të gjitha ndeshjet e mundshme të AaB-së, duke zhvilluar nëntë paraqitje, me një gol dhe një asistim.

Amar Gërxhaliu – Erzurumspor

Amar Gërxhaliu, futbollisti nga Vushtrria, përbën një tjetër mundësi që mund të merret në konsideratë nga Franco Foda. Ai është titullar i rregullt në elitën e futbollit turk dhe këtë sezon ka luajtur gjashtë ndeshje për Erzurumsporin.

Megjithatë, 24-vjeçari ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar rreth kombëtares që do të përfaqësojë. Ai ka nisur edhe procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare.

Gërxhaliu ka luajtur fillimisht për Shqipërinë U18, përpara se të kalonte te Kosova U21. Tashmë ai ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme për vazhdimin e karrierës ndërkombëtare.

Gjan Ajdin – FC Lugano

Gjan Ajdin është një tjetër futbollist me prejardhje nga Kosova që ka të drejtë të luajë për “Dardanët”. Në të kaluarën, ai ka qenë pjesë e përfaqësueseve të Zvicrës dhe Suedisë.

19-vjeçari aktivizohet kryesisht si mesfushor me detyra mbrojtëse, por mund të përdoret edhe në qendër të prapavijës.

Nuk dihet nëse këta futbollistë kanë pasur deri tani kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Megjithatë, paraqitjet e tyre në kampionatet evropiane po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje dhe mund t’i shndërrojnë në alternativa konkrete për përfaqësuesen kosovare.