Angli/ Ndryshimet në ligjin e emigracionit synojnë t’i japin fund bllokimit të dëbimeve përmes Konventës Evropiane

Kriminelët e huaj dhe emigrantët e tjerë nuk do të mund të shmangin më largimin nga Mbretëria e Bashkuar duke paraqitur në mënyrë të rreme rrethanat e tyre familjare.

Të lidhura

None found

Neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtën për jetë private dhe familjare.

Kjo dispozitë është përdorur gjerësisht nga shqiptarët në shtetin ishullor për të kundërshtuar urdhrat e dëbimit, pasi janë shpallur fajtorë për vepra të ndryshme penale.

Mbështetja te ky nen është përdorur gjithashtu nga persona, kërkesat e të cilëve për azil janë rrëzuar nga Home Office.

Amendamentet e propozuara në Projektligjin për Imigrimin dhe Azilin, të siguruara nga Top Channel, synojnë të mbyllin boshllëqet ligjore dhe të ndëshkojnë ata që paraqesin kërkesa për azil në momentin e fundit.

Sipas Home Office, ndryshimet do t’i detyrojnë gjykatat të vlerësojnë kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e kontaktit që prindërit kanë pasur me fëmijët e tyre, kur shqyrtojnë nëse jeta familjare përbën një bazë reale për njohjen e të drejtave sipas Nenit 8.

Projektligji e përkufizon tashmë “jetën familjare” si të kufizuar zakonisht te marrëdhëniet e afërta familjare mes personave që jetojnë së bashku. Ndryshimet synojnë që Neni 8 të zbatohet për prindërit që kanë një rol real dhe të rëndësishëm në jetën e fëmijës, dhe jo për individët që përpiqen të manipulojnë sistemin për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.


Shtuar më 11.10.2026 19:16