Policia polake ka vënë në pranga një person që dyshohet se ka kërcënuar dhe ka përgatitur një sulm ndaj kryeministrit Donald Tusk, bëri të ditur të dielën ministri i Brendshëm, Marcin Kierwiński.
Të lidhura
None found
Njoftimi erdhi pas disa orësh alarmi në institucionet e vendit, të cilat ishin informuar për një komplot të mundshëm që mund të kishte në shënjestër Tuskun dhe ministrin e Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
“Policia ka ndaluar personin që kërcënoi dhe planifikoi një sulm kundër kryeministrit Donald Tusk”, tha Kierwiński. Ai nuk dha të dhëna të tjera për identitetin e të arrestuarit apo për sulmin që dyshohet se po organizohej.
Pas zhvillimit, kryeministri Tusk shkroi në rrjetin social X, ku shprehu mirënjohjen për reagimin e shpejtë dhe vendimtar të policisë.
Ndërhyrja e autoriteteve u krye disa orë pas një takimi të jashtëzakonshëm të zhvilluar nga strukturat polake të sigurisë. Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të policisë, Shërbimit të Mbrojtjes së Shtetit dhe institucioneve të sigurisë së brendshme.
Sipas autoriteteve, sinjalizimi i parë për kërcënimin i ishte dërguar policisë nga Shërbimi i Mbrojtjes së Shtetit, i cili merret me mbrojtjen e zyrtarëve të lartë.
Jacek Dobrzyński, zëdhënës i shërbimeve speciale, deklaroi se rasti po trajtohej me nivelin më të lartë të seriozitetit. Ai shtoi se mundësia që kërcënimi të zbatohej ishte e lartë.
Zëdhënësi i qeverisë, Adam Szłapka, e përshkroi situatën si jashtëzakonisht shqetësuese.
Deri tani, autoritetet nuk kanë zbuluar as motivet e personit të dyshuar, as mënyrën konkrete përmes së cilës mendohet se do të realizohej sulmi.
Rasti është regjistruar në një kohë kur Polonia po përballet me shqetësime në rritje lidhur me sigurinë, pas disa incidenteve të dhunshme në shkolla dhe paralajmërimeve për kërcënime hibride.
Roli strategjik i Polonisë si një prej mbështetësve kryesorë të Ukrainës dhe si vend anëtar i NATO-s në krahun lindor të aleancës ka bërë që siguria e saj të jetë nën vëmendjen e strukturave evropiane.
Më herët, kryeministri Tusk kishte paralajmëruar se veprimet hibride ndaj vendeve që ndihmojnë Kievin mund të shtohen. Moska ka mohuar akuzat për plane të këtij lloji.
Hetimi vazhdon, ndërsa institucionet polake ende nuk kanë dhënë hollësi të tjera për të dyshuarin apo për provat që çuan në ndalimin e tij.




