Gjykata Themelore ka paraqitur në dosjen e saj rrjedhën e ngjarjes në Livoç i Ultë të Gjilanit, ku V.R. dyshohet për vrasjen e bashkëshortes dhe të vëllait të saj, si dhe për plagosjen e dy personave të tjerë. Ndaj tij është vendosur masa e paraburgimit prej një muaji.
Të lidhura
None found
Ngjarja ka ndodhur të premten, më 9 tetor, rreth orës 14:21. Në dosjen gjyqësore, data e rastit shënohet 09.10.2026.
Sipas përshkrimit të Gjykatës, pas një mosmarrëveshjeje, motivet e së cilës ende nuk dihen, i pandehuri V. R. dhe bashkëshortja e tij, N. B., shkuan te familja e saj në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë. Megjithatë, ata u nisën menjëherë për t’u kthyer në drejtim të Gjilanit.
Për të biseduar me të, M. B., R. B. dhe vëllai i bashkëshortes, E. B., u vunë pas tij me një veturë Pikap Opell Combo, me targa 239-HM. Kur mbërritën në hyrje të fshatit Livoç i Ultë, e parakaluan dhe ndaluan duke e pritur. V. R., që drejtonte një Tiguan të zi me targa 06-767-HK, vazhdoi rrugën drejt Gjilanit.
Dosja thotë se, teksa ishte duke vozitur, i pandehuri qëlloi nga afër bashkëshorten me një armë Beretta, me numër serik PX321722. N. B. ndodhej në ulësen e përparme të pasagjerit, në anën e djathtë, dhe nga të shtënat humbi jetën. Gjykata e përshkruan vrasjen si të kryer me dashje.
Më pas, V. R. u kthye përmes një rruge tjetër në hyrje të Livoçit dhe e ndali Tiguanin pas Pikapit, ku ndodheshin M. B., R. B. dhe E. B. Pasi këta dolën nga automjeti, edhe i pandehuri zbriti me armën Bereta në dorë. Sipas dosjes, ai u tha se e kishte humbur jetën e vet pasi kishte vrarë bashkëshorten dhe i kërcënoi se do t’i vriste edhe ata, përpara se të hapte menjëherë zjarr në drejtim të tyre.
R. B., të cilit iu rrezikua jeta, arriti të largohej. M. B. pësoi plagë të rënda, por mundi të ikte dhe të hynte në oborrin e një shtëpie. E. B. nuk arriti të shpëtonte; sipas Gjykatës, V. R. qëlloi disa herë ndaj tij, duke e vrarë me dashje në vendin e ngjarjes.
Në vijim, i pandehuri e çoi Tiguanin, brenda të cilit ndodhej trupi i N. B., në oborrin e spitalit rajonal të Gjilanit. Ai e la automjetin përpara emergjencës dhe më pas shkoi në polici, ku u dorëzua.







