Osmani pas disfatës ndaj Egnatias: Nuk bëmë lojë të keqe, mungesa e përvojës ndikoi

Laçi pësoi humbje 0-2 nga Egnatia në ndeshjen e javës së 6-të të Superiores. Pas takimit të luajtur në Kurbin, trajneri Qatip Osmani komentoi para mediave paraqitjen e skuadrës.

Të lidhura

None found

“Sigurisht që na vjen keq për atë që ndodhi. Në momentin kur po e kontrollonim lojën dhe po krijonim raste, bëmë një gabim që nuk duhej ta bënim. Por, për sa i përket përkushtimit dhe paraqitjes në tërësi, nuk mendoj se luajtëm keq dhe nuk duhet ta zmadhojmë këtë humbje”, u shpreh Osmani.

I pyetur pse Laçi nuk përdori më shumë pasime vertikale, veçanërisht për të aktivizuar Traoren, trajneri tha se Egnatia e vështirësoi këtë mënyrë loje. “Egnatia na u mbyll dhe kjo ishte arsyeja kryesore që nuk përdorëm shpesh topat vertikalë. Në pjesën e dytë futëm Karajn dhe u përpoqëm ta zgjeronim lojën me Bekën, që të krijonim hapësira e të provonim pasimet në thellësi. Megjithatë, pasimet jo të sakta dhe gabimet ndëshkohen nga një kundërshtar si Egnatia”, deklaroi ai.

Osmani pranoi se mungesa e përvojës ishte një nga faktorët që ndikuan në rezultat. “Edhe me rezultatin 0-0 sulmonim me gjashtë apo shtatë lojtarë. Kur shifrat kaluan në 1-0, ndeshja ishte ende e hapur dhe kishte kohë për të barazuar. Këto janë shenja të mungesës së eksperiencës”, tha trajneri i Laçit.


Shtuar më 11.10.2026 16:09