Teuta siguroi një fitore 2-0 përballë Skënderbeut në javën e gjashtë të Superiores. Pas përfundimit të takimit, portieri durrsak Bernandoni, i shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes, dha deklaratën e tij.
Të lidhura
None found
I pyetur si ndihet në Shqipëri, ai u shpreh se ndihet shumë mirë dhe është i lumtur që erdhi këtu. Shtoi se ai dhe familja e tij kanë mbetur të befasuar pozitivisht, ndërsa këtë kënaqësi e përjeton çdo ditë në stërvitje. Për trajnerin Edlir Tetova, portieri tha se ka një filozofi të bukur loje dhe se po sheh diçka të re.
Lidhur me rëndësinë e tij për ekipin, Bernandoni theksoi se dëshiron vetëm të japë maksimumin për të ndihmuar skuadrën. Sipas tij, futbolli është i tillë: kur fiton, je i lumtur dhe ata duan të vijojnë kështu.
Ai zbuloi edhe arsyen e firmës me Teutën: nuk e kishte ndjekur më parë kampionatin shqiptar, por mënyra si e kërkuan durrsakët i pëlqeu shumë, sidomos respekti që i treguan. Bernandoni vuri në dukje se e duan për cilësitë e tij si lojtar, por fillimisht i folën për vlerat e tij njerëzore, gjë që ishte vendimtare kur nënshkroi.
Në fund, ai tha se i pëlqen të luajë këtu dhe se skuadra ka lojtarë cilësorë, ndaj duhet të vazhdojnë të fitojnë. Sa u përket fjalëve shqipe që ka mësuar, përmendi “Faleminderit”, “Po” dhe “Jo”, duke shtuar se përpiqen të kuptohen me njëri-tjetrin dhe klubi ka përkthyes të mirë.




