Pas marrjes së detyrës si presidente, Justina Shiroka-Pula ka pranuar mesazhe urimi nga disa liderë evropianë, përfshirë presidentin finlandez Alexander Stubb, presidenten sllovene Natasha Pirc-Musar, presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Të lidhura
None found
Presidenti finlandez Alexander Stubb i dëshiroi suksese Shiroka-Pulës në rolin e saj të ri, duke nënvizuar se Finlanda mbetet e gatshme të vijojë bashkëpunimin në funksion të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.
Nga ana e saj, presidentja sllovene Natasha Pirc-Musar shprehu në telegramin e urimit bindjen se lidhjet miqësore mes dy vendeve do të thellohen më tej. Ajo ripohoi mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në forcimin e parimeve demokratike, bashkëpunimit rajonal, konsolidimit të institucioneve dhe sundimit të ligjit, si dhe u shpreh e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm brenda Procesit Brdo-Brijuni.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e uroi Shiroka-Pulën për zgjedhjen në krye të shtetit, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë së bashku përballë sfidave dhe në rrugëtimin drejt së ardhmes evropiane.
Ndërkohë, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i përcolli urimet e saj, duke shprehur besimin se nën udhëheqjen e Shiroka-Pulës do të forcohen dialogu dhe kohezioni shoqëror.
Ajo e vuri theksin te rëndësia e fqinjësisë së mirë, e ndërtuar mbi mirëkuptimin dhe respektin reciprok, si dhe u shpreh e gatshme t’i japë hov të ri bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh të martën nga Kuvendi i Kosovës si presidente e re me 81 vota që në raundin e parë. Ajo është presidentja e tretë femër dhe e shtata që e mban këtë post në historinë e vendit.







