Kurti kërkon nga OSBE-ja ndërhyrje për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot një takim me Christophe Kamp, komisionerin e lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare. Biseda u përqendrua te të drejtat e komuniteteve, përfshirë përdorimin e gjuhëve, arsimin dhe shërbimet publike.

Të lidhura

None found

Gjatë takimit, Kurti ngriti edhe shqetësimin për diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Sipas tij, kjo situatë lidhet me pasivizimin e adresave, pengesat në arsim dhe përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet publike.

“Kërkova angazhim të drejtpërdrejtë dhe ndjekje konkrete të këtyre çështjeve: Serbia duhet të përmbushë standardet evropiane për mbrojtjen e komuniteteve, të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e njeriut e ato civile. Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik”, shkroi Kurti.

Kurti tha se gjatë takimit falënderoi Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, për vizitën dhe dialogun e vazhdueshëm. Ai bëri të ditur se diskutimet përfshinë gjithashtu zbatimin e ligjit për mbrojtjen e pronës publike, mjedisit dhe burimeve ujore.

Kryeministri rikujtoi se barazia para ligjit përbën një nga themelet e Republikës së Kosovës dhe se të drejtat duhet të mbrohen, ndërsa detyrimet ligjore të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë, pa dallim.

Ai theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës u garanton komuniteteve joshumicë të drejta të gjera, të cilat në disa fusha tejkalojnë standardet evropiane të mbrojtjes. Sipas tij, këto garanci duhet të zbatohen plotësisht në jetën institucionale dhe shoqërore, përmes angazhimit aktiv të pjesëtarëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve, në përputhje me ligjet në fuqi.

Kurti nënvizoi se mbrojtja e të drejtave dhe zbatimi i ligjit janë parime që e mbështesin njëra-tjetrën. Përkatësia, shtoi ai, nuk mund të përdoret as për cenimin e të drejtave dhe as për shmangien nga detyrimet ligjore.

Në përfundim, kryeministri deklaroi se bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit Kamp do të vijojë. Ai tha se të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit janë detyrime plotësuese dhe jo parime që përjashtojnë njëra-tjetrën.


Shtuar më 9.10.2026 18:06