Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani janë deklaruar sërish të pafajshëm në rigjykimin për akuzat e spiunazhit që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Procesi ka nisur nga e para pasi gjyqtari Vesel Ismajli, anëtar i trupit gjykues, pritet të dalë në pension. Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi se në vend të tij do të jetë gjykatësja Donika Shala-Abdyli, raporton “Betimi për drejtësi”.
Të lidhura
None found
Prokurori special Bekim Kodraliu deklaroi se provat e mbledhura, të cilat do të shqyrtohen gjatë gjykimit, do të dëshmojnë se të akuzuarit kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer BIA-s.
Sipas tij, në mesin e provave janë raportet për hyrje-daljet në Serbi dhe kthimet brenda së njëjtës ditë në Kosovë, dokumente, albume fotografike me pamje nga lufta në Kosovë, diagrame dhe fotografi të përgatitura. Kodraliu veçoi edhe materialet e gjetura në posedim të Bedri Shabanit, për të cilat tha se do të dëshmojnë për përpjekjet për ta lidhur spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.
Prokurori shtoi se gjatë administrimit të provave do të pretendohet se, nga një datë e paspecifikuar deri në arrestimin e tij më 05.06.2024, Shabani e ka ndihmuar BIA-n përmes Srgjan Rosiqit. Kjo, sipas Prokurorisë, është bërë duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe libra që lidhen me ngjarjet e UÇK-së, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve të drejtpërdrejta me Rosiqin.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 shkurt 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj Shabanit dhe Qerimit. Ata akuzohen se i kanë mbledhur dhe përcjellë te BIA serbe informacione e dokumente për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët dhe pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Aktakuza përfshin gjithashtu pretendime për mbledhjen e të dhënave lidhur me ngjarje dhe objekte të caktuara, përfshirë masakrën e Reçakut.
PSRK pretendon se veprimet e tyre kishin për qëllim nxitjen e një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, krijimin e një narrative të rreme për lidhjen mes Spitalit Ushtarak të UÇK-së dhe të ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë” për pretendime mbi trafikimin e organeve, si dhe vënien në dyshim të së vërtetës për masakrën.
Qerimi dhe Shabani i kanë mohuar akuzat dhe nuk e pranojnë përgjegjësinë penale për veprat që u atribuohen. Vendimi përfundimtar për rastin do të merret nga gjykata, ndërsa seancat po vijojnë në kuadër të procedurës penale.




