USS Abraham Lincoln rikthehet në San Diego pas 322 ditësh në mision luftarak, një nga dislokimet më të gjata që nga Lufta e Vietnamit

Aeroplanmbajtësja e Marinës Amerikane USS Abraham Lincoln u kthye në portin e saj në San Diego, pasi kaloi 322 ditë në mision — një nga dislokimet më të zgjatura të një aeroplanmbajtëseje amerikane që nga koha e Luftës së Vietnamit.

Gjatë kësaj periudhe, rreth 5,000 anëtarë të ekuipazhit u përballën me muaj të tërë veprimesh luftarake, vështirësi në furnizime, njoftime për racionim të ushqimit dhe një ngarkesë të madhe psikologjike.

Të lidhura

None found

Në orët e para të mëngjesit, familjarët dhe miqtë e marinarëve u mblodhën në portin e San Diegos për të pritur të dashurit e tyre, duke valëvitur flamuj amerikanë, pankarta dhe mesazhe mirëseardhjeje. Për shumë prej tyre, ai moment shënoi fundin e muajve të shqetësimit dhe të komunikimit të kufizuar me të afërmit që ndodheshin në det.

Sipas gazetës The New York Times, disa familje kishin mbetur pa lajme nga marinarët për më shumë se një javë. Nëna e një efektivi 20-vjeçar tregoi se përpiqej ta mbante lart djalin e saj duke i dërguar mesazhe inkurajuese dhe fragmente nga Bibla.

Një nga momentet më emocionuese ishte ribashkimi i baballarëve me foshnjat e tyre të sapolindura. Sipas traditës së Marinës Amerikane, ndër të parët që zbresin në tokë janë ata detarë që janë bërë prindër gjatë misionit. Mes tyre u dallua 21-vjeçari Eduardo Morales, i cili pa për herë të parë djalin e tij pesëmuajsh, Emmanuel. Gruaja e tij, Lenia Morales, shpjegoi se kishte qenë veçanërisht e vështirë ta përballonte e vetme lindjen dhe muajt e parë të jetës së foshnjës.

USS Abraham Lincoln e nisi misionin më 21 nëntor 2025, përpara shpërthimit të luftës me Iranin. Anija kaloi gati një muaj në det përpara se të bënte një ndalesë të shkurtër në bazën detare në Guam, për furnizim me karburant.

Vështirësitë me furnizimet u përkeqësuan pas sulmit iranian ndaj qendrës kryesore të mbështetjes së Marinës Amerikane në Manama të Bahreinit, menjëherë pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt.

Me raketat balistike iraniane që kërcënonin portet në rajon, anijet luftarake të SHBA-së u përballën me probleme në sigurimin e ushqimeve, karburantit dhe materialeve të tjera. Për këtë arsye, Marina u detyrua ta zhvendoste qendrën kryesore të furnizimit në Diego Garcia, një territor britanik në Oqeanin Indian, rreth 2,200 milje larg.

Shenjat e para të vështirësive dolën në dritë përmes familjarëve të marinarëve, të cilët u çuan gazetarëve fotografi të racioneve të kufizuara ushqimore. Disa familje provuan të dërgonin pako me ushqime dhe sende të tjera, por shumë prej tyre ose humbën, ose u shkatërruan, ose arritën me muaj vonesë.

Megjithatë, kapiteni Daniel J. Keller, komandanti i aeroplanmbajtëses, deklaroi pas kthimit se anija kishte pasur mjaftueshëm ushqime dhe furnizime për të vijuar operacionet.

“Nuk humbëm asnjë mision. Unë nuk humba asnjë vakt. Shërbyem katër vakte në ditë, gjithsej 14,000 deri në 16,000 vakte në ditë për të gjithë ekuipazhin”, u shpreh ai.

Përtej problemeve të furnizimit, misioni u shoqërua edhe me shqetësime për shëndetin mendor të personelit.

Sekretari në detyrë i Marinës Amerikane, Hung Kao, pranoi në përgjigje të pyetjeve të ligjvënësve demokratë se tetë anëtarë të task forcës Lincoln kishin tentuar vetëvrasjen. Ndërsa një marinar ishte hedhur në det, një tjetër ishte përpjekur të bënte të njëjtën gjë, por e kishin ndaluar shokët e tij.

Disa marinarë që folën pas kthimit i përshkruan këto vështirësi si pjesë të kërkesave të një misioni luftarak, ndërsa të tjerë pranuan se do të kishin nevojë për mbështetje psikologjike për të përballuar përvojat e tyre.

Edhe familjarët vërtetuan se kishte pasur periudha kur ushqimi ishte racionuar. Victoria Tozzi, nëna e njërit prej marinarëve, i cilësoi të papranueshme racionet që kishte parë në fotografitë e dërguara nga djali i saj.

Ajo tregoi gjithashtu se ishte shqetësuar pasi kishte mësuar se Irani kishte lëshuar raketa dhe dronë drejt aeroplanmbajtëses, të cilat, sipas raportimit, ishin interceptuar.

Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili iu bashkua anijes të mërkurën për pjesën e fundit të udhëtimit, e pranoi kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të misionit, por i quajti të ekzagjeruara raportimet për problemet e furnizimit. Ai i dha ekuipazhit Çmimin Presidencial të Njësisë, një nga vlerësimet më të larta që mund të marrë një njësi ushtarake amerikane për merita të jashtëzakonshme.

USS Abraham Lincoln pati një rol qendror në fushatën ajrore kundër Iranit. Sipas një zyrtari të Marinës Amerikane, deri në gusht avionët e saj kishin kryer më shumë se 10,000 fluturime dhe kishin hedhur mbi 1.5 milionë paund municione.

Avionët e saj morën pjesë edhe në zbatimin e bllokadës ndaj porteve iraniane.

Në fillim të majit, një avion F/A-18 Super Hornet që operonte nga Lincoln goditi me topin 20 mm timonin e cisternës iraniane M/T Hasna, duke e çaktivizuar atë teksa përpiqej të kalonte vijën e bllokadës.

Një muaj më pas, një tjetër avion Super Hornet lëshoi një municion të drejtuar në dhomën e motorëve të cisternës M/T Marivex në Gjirin e Omanit, ndërsa anija po shkonte drejt Iranit. Të 24 anëtarët e ekuipazhit të cisternës u shpëtuan nga një helikopter ushtarak omani.

Konflikti me Iranin ka shtuar presionin mbi flotën amerikane, e cila disponon 11 aeroplanmbajtëse me energji bërthamore.

Sipas raportimeve, John C. Stennis dhe Harry S. Truman ndodhen jashtë shërbimit për shkak të furnizimit me karburant të reaktorëve bërthamorë, ndërsa pesë aeroplanmbajtëse të tjera tashmë janë përfshirë në operacionet e luftës.

Gerald R. Ford hyri në një kantier detar në korrik për mirëmbajtje të vonuar, ndërsa Nimitz, gati 50-vjeçar, pritet të çmontohet vitin e ardhshëm.

Në këto rrethana, Dwight D. Eisenhower, Carl Vinson dhe Ronald Reagan mbeten ndër aeroplanmbajtëset kryesore që mund të angazhohen nëse konflikti, tashmë në muajin e tij të tetë, vazhdon më tej.

Gjatë misionit, ekuipazhi i Lincoln kaloi rreth nëntë muaj e gjysmë në det pa pushim të konsiderueshëm. Anija arriti në Pattaya të Tajlandës më 2 shtator, ku ekuipazhi qëndroi për pesë ditë. Më 18 shtator, ajo u kthye në territorin amerikan, me një ndalesë të shkurtër në Guam, ku marinarët mund të zbrisnin në tokë, por duhej të qëndronin brenda bazës detare.

Me kthimin në San Diego, ekuipazhi pritet të ketë më shumë kohë për t’u rikuperuar dhe për t’u ribashkuar me familjet. Sipas praktikës së zakonshme, rreth gjysma e marinarëve përfitojnë dy javë pushim, ndërsa pjesa tjetër vijon punën me orar të rregullt dhe kthehet çdo ditë në shtëpi. Pas dy javësh, grupet ndërrohen.

Për familjarët që i prisnin në port, megjithatë, rëndësia kryesore ishte përfundimi i një misioni të gjatë dhe të vështirë. “Jam i lumtur që ai dhe pjesa tjetër e ekuipazhit u kthyen shëndoshë e mirë. Ishte një mision shumë i vështirë dhe shumë i gjatë. Por tani ai është kthyer”, u shpreh një veteran, i cili priti të birin mes emocionesh.


Shtuar më 9.10.2026 14:14