Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka prezantuar një mënyrë të re për matjen e shpenzimeve të jetesës, duke e bazuar shportën mesatare konsumatore në të dhënat zyrtare statistikore, konsumin faktik të amvisërive dhe çmimet aktuale të produkteve e shërbimeve në treg.
Të lidhura
None found
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, gjatë konferencës së sotme për media, shpjegoi metodologjinë e re. Sipas tij, kjo qasje synon të ofrojë një pasqyrë sa më reale, objektive dhe transparente të shpenzimeve të amvisërive në Maqedoninë e Veriut.
Durmishi deklaroi se llogaritjet nuk mbështeten në nevoja të supozuara apo të dëshiruara, por në konsumin që amvisëritë e kanë realizuar realisht, në përputhje me klasifikimet statistikore të njohura ndërkombëtarisht.
Shporta mesatare konsumatore përbëhet nga 11 kategori, ku përfshihen ushqimet dhe pijet, banimi, transporti, shëndetësia, arsimi, veshmbathja, komunikimet, si dhe produkte e shërbime të tjera.
Baza e të dhënave për përllogaritjen përfshin informacionet e Entit Shtetëror të Statistikës, çmimet e produkteve të mbledhura në tetë qytete, të dhënat nga 23 tregje të frutave dhe perimeve, si edhe çmimet e artikujve ushqimorë më të shitur në pesë zinxhirët më të mëdhenj tregtarë dhe në tre zinxhirë rajonalë.
Sipas Ministrisë, vlera e shportës mesatare konsumatore në gusht të vitit 2026 arriti në 58.475 denarë. Kjo është një rritje prej vetëm 29 denarësh në raport me korrikun, ndërsa shpenzimet për ushqime dhe pije gjatë gushtit u ulën me 255 denarë krahasuar me muajin paraprak.
Në krahasim me janarin e këtij viti, kur shporta konsumatore ishte 56.381 denarë, vlera e saj në gusht u rrit me 2.095 denarë, ose 3,7 për qind.







