Pasuritë e dy mjekëve të lënë në paraburgim në kuadër të hetimit për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis janë ngrirë me urdhër të Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave në Greqi.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve të mediave greke, vendimi është marrë nga kreu i këtij autoriteti, Charalambos Vourliotis, ish-zëvendësprokuror i Gjykatës së Lartë, dhe më pas i është dërguar Prokurorisë.
Masa e vendosur prek të gjitha pasuritë e dy mjekëve, përfshirë edhe një kasafortë bankare që ata kishin në një bankë në zonën e Kolonakit, pranë klinikës së tyre. Autoriteti ka autorizuar paraprakisht hapjen e saj dhe sekuestrimin e çdo materiali që ndodhet brenda.
Për të evidentuar pasuritë e mundshme të mjekëve, janë adresuar kërkesa pranë Regjistrit të Pasurive të Paluajtshme dhe kompanive të sigurimeve. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse ata kanë produkte investimi të regjistruara në emrat e tyre. Çdo pasuri e gjetur do të sekuestrohet.
Krahas çështjes që lidhet me vdekjen e këngëtarit, Autoriteti Kundër Pastrimit të Parave po heton edhe dyshimet për katër vepra penale: mashtrim, ushtrim të paligjshëm të profesionit të mjekut, evazion fiskal dhe pastrim parash.
Pas përfundimit të verifikimeve financiare, gjetjet dhe raporti përfundimtar do t’i dorëzohen prokurorit, i cili do të vendosë për hapat e mëtejshëm ligjorë.



