Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, qëndroi për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku diskutimet u përqendruan te thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në bujqësi dhe sigurinë ushqimore.
Të lidhura
None found
Gjatë vizitës në Shkup, Muja zhvilloi takime me ministrin homolog, Borçe Serafimovski, zëvendësministrin Albrim Hoxha, si dhe me përfaqësues të institucioneve që kanë përgjegjësi në fushën e sigurisë ushqimore.
Palët shqyrtuan mënyrat për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral, shtimin e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e qarkullimit të produkteve bujqësore dhe ushqimore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Siguria ushqimore ishte një nga temat kryesore të takimeve. Në këtë kuadër, u diskutua për përafrimin e procedurave të kontrollit dhe certifikimit, ndarjen e informacionit dhe përmirësimin e bashkëpunimit mes autoriteteve kompetente.
Diskutimet përfshinë gjithashtu kontrollet zyrtare në pikat kufitare dhe në tregun e brendshëm, gjurmueshmërinë e produkteve dhe bashkërendimin e veprimeve për evidentimin dhe administrimin e rreziqeve që mund të dëmtojnë shëndetin e konsumatorëve.
Përfaqësuesit e dy vendeve ndanë përvoja edhe lidhur me skemat e mbështetjes për fermerët, zhvillimin rural dhe përparimin e prodhimit bujqësor. Në takime u trajtua po ashtu përafrimi i politikave sektoriale me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian, përfshirë Politikën e Përbashkët Bujqësore.
Muja vlerësoi se bashkëpunimi i qëndrueshëm mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve për fermerët dhe bizneset, zgjerimin e tregtisë së ndërsjellë dhe ruajtjen e standardeve të larta të sigurisë ushqimore.
Gjatë kësaj vizite, ministri Muja u shoqërua nga ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, dhe drejtoresha e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, Venera Çerkini.
Vizita ka për qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe rajonale, rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve bujqësorë dhe avancimin e përafrimit me standardet evropiane.






