Studentëve të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup do t’u vihen në dispozicion dy linja të reja autobusësh, përkatësisht linjat 17 dhe 17A, të cilat pritet ta lehtësojnë arritjen deri te kampusi universitar.
Të lidhura
None found
Këto dy linja do të mbulojnë 24 stacione gjithsej, ndërsa tani për tani autobusët do të nisen çdo 50 minuta. Rektori i UNT-së, Bekim Fetaji, njoftoi se një linjë tjetër do të hyjë në qarkullim gjatë muajit shkurt dhe ajo do të kalojë çdo 15 minuta.
Sipas Fetajit, pjesa më e rëndësishme e itinerarit është lidhja me zonën e Bit Pazarit dhe me Rrugën e plastikave. Ai sqaroi se linja kalon në 24 stacione, por thelbësore për universitetin është që përfshin Bit Pazarin, përballë UKM-së, vijon nga Rruga e plastikave dhe arrin deri te kampusi. Më pas rrotullohet te Ambasada e Amerikës, kthen majtas pranë muzeut dhe kështu studentët lidhen me të gjitha pikat e tjera.
Ndërkohë, lidhur me ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, rektori Fetaji bëri të ditur se tre fakultete janë zhvendosur në objektin e Lidhjes së Sindikatave.
Bëhet fjalë për Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Shkencave Humane dhe Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë.
Mbikëqyrësi i punimeve, Oliver Kolevski, tha se nga nëntë objektet e planifikuara për fazën e parë, aktualisht po punohet në tri prej tyre. Ai shtoi se procedura e tenderit për kontraktorin mbikëqyrës është në zhvillim e sipër dhe pas përfundimit të saj do të nisë prishja; në atë moment, të gjitha objektet e tjera do të kenë përfunduar. Prej tri objekteve, njëri do ta mbyllë fazën e plotë të ndërtimit brenda dy javësh, kurse dy të tjerët do të përfundojnë rreth fillimit të dhjetorit.
Gurthemeli për kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup u vendos më 7 mars 2026. Sipas parashikimeve, i gjithë kampusi i ri universitar do të përfundojë brenda pesë vjetësh.







