David Silva e sheh mesfushorin e Paris Saint-Germainit, Fabian Ruiz, si kandidatin kryesor për të fituar Topin e Artë. Ish-lojtari i Kombëtares së Spanjës ka paralajmëruar gjithashtu Real Madridin se përmbysja e diferencës prej gjashtë pikësh me Barcelonën do të jetë jashtëzakonisht e vështirë nëse katalanasit ruajnë formën aktuale.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste në emisionin “El Partidazo” të COPE, Silva theksoi sukseset e Ruizit dhe ndikimin që ai ka pasur te PSG-ja dhe Kombëtarja e Spanjës.
“Për mua, suksesi kolektiv vjen i pari, sepse ndryshe nuk mund ta fitosh. Por, nëse do të duhej t’ia jepja dikujt, do të ishte Fabiani, sepse gjatë dy viteve të fundit ai është lojtari që ka fituar më së shumti trofe”, u shpreh Silva.
Ai shtoi se Ruiz nuk ka marrë vëmendjen e merituar, pavarësisht kontributit të tij të madh. “Ai ka qenë i rëndësishëm te PSG-ja dhe më pas edhe me Kombëtaren. Nuk i jepet shumë rëndësi, nuk e di pse, sepse është një lojtar i madh. Më pëlqen shumë dhe, në heshtje, ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë Silva.
Ish-mesfushori i Manchester Cityt përmendi edhe Rodrin, fituesin e mëparshëm të këtij çmimi, por sqaroi se ai nuk mund të ishte pjesë e zgjedhjes së tij këtë herë.
“Rodri e ka fituar tashmë, përndryshe do ta kisha përmendur edhe atë”.
Silva foli edhe për mundësitë e Real Madridit në garën për titullin e La Ligës, duke u pyetur nëse skuadra madrilene mund ta rikuperojë diferencën ndaj Barcelonës.
Sipas ish-futbollistit të Valencias dhe Manchester Cityt, detyra e Real Madridit do të bëhet thuajse e pamundur nëse Barcelona vijon të luajë në të njëjtin nivel.
“Nëse Barça vazhdon kështu, është e pamundur. Ata janë në një nivel të jashtëzakonshëm dhe prej disa vitesh po luajnë shumë mirë me këtë trajner (Flick), ndërsa janë përforcuar shumë mirë. Nëse vazhdojnë në këtë nivel, nuk do të kenë rival”.
Megjithatë, Silva nënvizoi se Real Madridi nuk duhet përjashtuar asnjëherë nga gara. “Përtej kësaj, Real Madridi është Real Madridi. Nuk mund ta konsiderosh kurrë të vdekur, sepse ka lojtarë të mëdhenj dhe, nëse qëndron afër deri në fund të kampionatit, mund të konkurrojë. Por insistoj, nëse Barça vazhdon në këtë nivel, nuk mendoj se do të ketë rival”, ka përfunduar Silva.
David Silva i dha fund futbollit profesionist në vitin 2023, pas periudhave te Valencia, Manchester City dhe Real Sociedad. Me fanellën e Spanjës, ai regjistroi 125 paraqitje nga viti 2006 deri më 2018.
40-vjeçari ka njoftuar së fundmi se do të luajë një ndeshje për Supreme Sha Tin në Ligën Premier të Hong Kongut, ndërsa vazhdon të jetë i interesuar për zhvillimet në futbollin spanjoll./






