VLEN: Korridori VIII forcon lidhjet rajonale dhe zhvillimin ekonomik

Sipas VLEN-it, Korridori VIII përbën një projekt me rëndësi strategjike për Maqedoninë e Veriut, pasi e lidh atë me Bullgarinë dhe Shqipërinë, duke krijuar një aks të rëndësishëm Lindje-Perëndim, nga Deti i Zi deri në Adriatik.

Të lidhura

None found

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, e cila vjen nga radhët e VLEN-it, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin VIII, të organizuar në Sofje të Bullgarisë.

Veprimtaria mblodhi zyrtarë të nivelit të lartë nga vendet e rajonit, përfaqësues të institucioneve evropiane dhe partnerë ndërkombëtarë. Diskutimet u përqendruan te zhvillimi i infrastrukturës, lidhjet ndërkufitare, investimet, energjia dhe integrimi ekonomik.

VLEN vlerëson se përfundimi dhe modernizimi i infrastrukturës përgjatë këtij korridori do të sjellë përmirësim të lidhjeve rrugore e hekurudhore në Maqedoninë e Veriut, transport më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave, si dhe një klimë më të favorshme për investime dhe rritje ekonomike.

“VLEN angazhohet që projektet strategjike infrastrukturore të vendit të zhvillohen sipas standardeve moderne dhe në bashkëpunim me partnerët rajonalë e evropianë. Korridori VIII e pozicionon Maqedoninë e Veriut në një rol të rëndësishëm brenda rrjetit të lidhjeve evropiane dhe hap mundësi të reja për ekonominë, bizneset dhe qytetarët”, deklarojnë nga kjo parti.


Shtuar më 8.10.2026 17:35