Toshkovski: Policia rrugore pajiset me 33 motoçikleta të reja dhe mjete mbrojtëse

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, dhe kryetari i Këshillit Republikan për Siguri në Trafikun Rrugor (KRSTRR), Goran Angelovski, morën pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të 33 motoçikletave policore dhe pajisjeve të plota mbrojtëse. Pajisjet u siguruan nga RSBSP për Ministrinë e Brendshme.

Të lidhura

None found

Motoçikletat janë të markës “Piaggio Beverly 310 HPE”, të përshtatura për përdorim policor. Dorëzimi përfshin edhe 33 sete pajisjesh për motoçiklistët, me helmeta, xhaketa, pantallona, çizme dhe doreza për sezonin veror e dimëror.

Prokurimi ka kushtuar gjithsej 16.845.561 denarë. Sipas njoftimit, pajisjet e reja synojnë të rrisin lëvizshmërinë, të mundësojnë menaxhim më efikas të trafikut dhe të përmirësojnë kushtet e punës së policisë.

Toshkovski e cilësoi këtë investim si një tjetër rezultat konkret të bashkëpunimit mes Ministrisë së Brendshme dhe KRSTRR-së. Ai tha se të dy institucionet kanë synim të përbashkët rritjen e vazhdueshme të sigurisë rrugore dhe zvogëlimin e aksidenteve e viktimave në trafik.

Ministri shtoi se modernizimi i policisë rrugore është pjesë e qasjes më të gjerë të Ministrisë për forcimin e sigurisë në trafik, ku rol të rëndësishëm ka edhe sistemi “Qytet i Sigurt”./Telegrafi/


Shtuar më 8.10.2026 12:35