Maricarmen Abascal, 87-vjeçarja spanjolle që jetoi për më shumë se 70 vjet në të njëjtin apartament, ka ndërruar jetë pasi u dëbua nga banesa e saj. Rasti i saj u kthye në një simbol të krizës së strehimit në Spanjë dhe nxiti protesta në mbarë vendin.
Të lidhura
None found
Lajmi u njoftua nga Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, e cila deklaroi se Abascal vdiq pasi çështja e saj kishte shkaktuar reagime të fuqishme publike dhe protesta në të gjithë Spanjën.
Më 23 shtator, gruaja e moshuar u nxor me forcë nga apartamenti mbi një barelë, pasi nuk mund ta përballonte më rritjen e qirasë.
Për shkak të një problemi ligjor, pronari arriti ta çonte qiranë mujore nga 500 euro në 2,650 euro. Edhe pse më vonë pagesa u reduktua në 1,650 euro, kjo shumë ishte sërish rreth 300 euro më e lartë se pensioni mujor i Abascal.
Pas dëbimit, kompania pronare e apartamentit propozoi që 87-vjeçarja të kthehej në banesë me një qira më të ulët. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua, pasi ajo ishte shtruar në spital.
“Me keqardhje njoftojmë se Maricarmen ndërroi jetë sot”, bëri të ditur Sindikata e Qiramarrësve të Madridit, e cila e përshkroi historinë e saj si “një pikë kthese në historinë e këtij vendi”.
Ngjarja shkaktoi zemërim të gjerë dhe e vendosi rastin e Abascal mes simboleve më të forta të krizës së strehimit në Spanjë. Protestat i shtuan presionet ndaj qeverisë së koalicionit të kryeministrit Pedro Sánchez për të miratuar masa emergjente, por projektligjet u rrëzuan më vonë në Kongres.
Pas mosmiratimit të këtyre masave, dhjetëra mijëra njerëz protestuan në qytete të ndryshme të Spanjës. Ata kërkuan masa për përballimin e rritjes së kostove të banesave dhe mbrojtje më të madhe për qiramarrësit.
Sindikata e Qiramarrësve të Madridit deklaroi se marrëveshja që mund t’i jepte Abascal mundësinë të rikthehej në shtëpi u arrit shumë vonë.
Organizata e cilësoi situatën si “krejtësisht të shmangshme pas një procesi torturues” dhe tha se çmimi i paguar për të arritur në këtë pikë “ishte shumë i lartë”.
Pas njoftimit për vdekjen e saj, protestuesit u mblodhën në Puerta del Sol, një nga sheshet kryesore të Madridit, që prej ditësh ishte shndërruar në qendër të tubimeve kundër krizës së strehimit.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i përcolli ngushëllimet familjes së 87-vjeçares.





