Zogaj: Kompromisi për presidenten dëshmoi pjekurinë e politikës kosovare

Analisti Preç Zogaj analizoi situatën politike në Kosovë dhe mënyrën se si zgjedhja e presidentes i dha fund ngërçit institucional në vend.

Të lidhura

None found

Ai tha se Kosova ishte përballur me një krizë serioze dhe rrezikonte të shkonte për të pestën herë në zgjedhje të parakohshme, nëse nuk do të arrihej një marrëveshje.

Sipas Zogajt, votimi i presidentes u bë i mundur falë një kompromisi të minutës së fundit, por ky zhvillim ishte i nevojshëm për të shmangur thellimin e krizës politike dhe institucionale.

“Për një kohë situata dukej shumë pesimiste, pasi Kosova rrezikonte zgjedhjet e pesta të parakohshme. Marrëveshja për zgjedhjen e presidentes u arrit në orët e fundit, por ishte e domosdoshme për kapërcimin e bllokimit politik”, deklaroi Zogaj për RTSH.

Analisti e konsideroi këtë vendim si një tregues të përgjegjshmërisë së elitës politike kosovare. Sipas tij, kriza disa mujore kishte ngritur pikëpyetje edhe mbi aftësinë e institucioneve për të funksionuar si struktura shtetformuese.

“Edhe pse bëhet fjalë për një kompromis, zgjedhja e saj përfaqëson mbi të gjitha një veprim të pjekur dhe pozitiv të klasës politike në Kosovë. Kriza e zgjatur politike kishte vënë në dyshim deri edhe kapacitetin shtetformues të Kosovës”, u shpreh ai.

Zogaj theksoi se pamundësia për të zgjedhur presidentin kishte dëmtuar imazhin e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Për të, përsëritja e zgjedhjeve krijonte përshtypjen e një sistemi që nuk arrinte të zgjidhte çështjet kryesore institucionale.

“Ishte tejet negative që Kosova nuk po arrinte të zgjidhte Presidentin dhe për këtë arsye kalonte vazhdimisht nga një proces zgjedhor te tjetri. Edhe krijimi i qeverisë ishte bërë me vështirësi të mëdha”, tha analisti.

Në vlerësimin përfundimtar, ai e cilësoi zgjidhjen e krizës si një hap të rëndësishëm për stabilitetin politik të Kosovës.

“Fakti që kjo situatë u kapërcye dhe kriza mori fund është një zhvillim pozitiv. Po ashtu, duhet theksuar se ajo është gruaja e tretë që merr detyrën e presidentes së Kosovës, çka përbën një tregues të rëndësishëm për përfaqësimin e grave në nivelet më të larta të shtetit”, përfundoi Zogaj.


Shtuar më 7.10.2026 22:05