Komisioni Europian ka prezantuar paketën “Përgatitja për një Bashkim më të madh”, e cila parashikon që integrimi i vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në BE të zhvillohet gradualisht.
Akademikja dhe ekspertja e integrimit Migena Leskoviku vlerëson se qasja e re vendos kërkesa më të forta dhe parashikon për Shqipërinë një proces integrimi të kushtëzuar, që mund të jetë edhe i kthyeshëm.
Të lidhura
None found
“Integrimi do të jetë më gradual, ndërsa BE-ja do të ofrojë po ashtu mbështetje institucionale dhe politike për këto vende të reja. Janë propozuar udhërrëfyes orientues, që përcaktojnë sektorët strategjikë dhe kushtet që duhet të përmbushin vendet”, tha Leskoviku.
E pyetur nëse ndryshimet e bëjnë më të vështirë objektivin e qeverisë për anëtarësim në vitin 2030, ajo u shpreh se synimi mbetet i mundur, ndonëse më sfidues. “E vështirësojnë, por nuk do të thosha se është e pamundur. Komisioni Europian ka përcaktuar se, në çdo rast, performanca e vendeve do të vlerësohet mbi bazën e meritave”, theksoi ekspertja.
Mbikëqyrja nuk do të përfundojë me pranimin në Union. Vendet e reja do të monitorohen edhe pas anëtarësimit, për të verifikuar nëse vazhdojnë të zbatojnë angazhimet e marra gjatë negociatave. Në rast mospërmbushjeje, parashikohen masa financiare, deri edhe në pezullimin e së drejtës së votës për çështje të rëndësishme.
Leskoviku tha se BE-ja synon të shmangë përsëritjen e përvojave problematike, si ajo e Hungarisë nën Orbanin. Sipas saj, vendet e reja do të përballen me llogaridhënie dhe monitorim të rreptë edhe pas anëtarësimit, për të vlerësuar respektimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, si vlera themelore të Unionit.
Ndër propozimet e Komisionit Europian është edhe zëvendësimi i votimit unanim me shumicë të cilësuar, si dhe forcimi i institucioneve dhe i jetës demokratike në rajon. Diskutimet për paketën e re të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor do të vijojnë në mbledhjen e Këshillit Europian, më 15-16 tetor.







