VLEN synon dy poste të reja zëvendësministrash, në qeveri priten ndryshime në nivelin e dytë

Pas marrëveshjes së arritur me kryeministrin Hristijan Mickoski, koalicioni VLEN pritet të marrë postet e zëvendësministrave në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Politikës Sociale.

Të lidhura

None found

Burime brenda koalicionit bëjnë të ditur se emrat e kandidatëve janë përcjellë te kryeministri për miratim përfundimtar, raporton INA.

Riorganizimi i kabinetit qeveritar në korrik bëri që VLEN-i të mos drejtonte më këto dy ministri, dhe kjo është arsyeja e ndryshimeve të pritshme në nivelin e dytë të qeverisjes. Koalicioni argumenton se rishpërndarja nevojitet për të ruajtur ekuilibrin politik mes partnerëve të pushtetit.

Për t’i marrë dy pozitat pa ndryshuar numrin e përgjithshëm të posteve që ka në qeveri, VLEN-i duhet të heqë dorë nga dy vende të tjera zëvendësministrash.

Njëri prej tyre është posti në Bujqësi, ku ministri vjen nga lëvizja ZNAM. Pritet që këtë pozicion ta marrë VMRO-DPMNE-ja.

Gjithashtu do të lirohet edhe posti i zëvendësministrit të Kulturës. Ai mund t’i kalojë VMRO-DPMNE-së ose ZNAM-it, ndërsa ministri aktual i këtij dikasteri është pjesë e VLEN-it.

Koalicioni pret të sigurojë edhe një tjetër post zëvendësministri, krahas atyre që ka në Energjetikë dhe Transformim Digjital.

Kryeministri Mickoski ka bërë të ditur se plotësimi i vendeve dhe ndryshimet në eshallonin e dytë qeveritar do të përfundojnë në gjysmën e dytë të tetorit./INA/


Shtuar më 7.10.2026 16:39