Më 06.10.2026, në orën 23:50, Kuvendi i Kosovës vijoi shqyrtimin e pikës së dytë të rendit të ditës, që lidhet me zgjedhjen e presidentit të vendit. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, prezantoi Justina Shiroka-Pulën si kandidate për presidente.
Në orën 23:46, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Pas votimit të amendamenteve, projektligji mori 88 vota për. Me këtë vendim përfundoi shqyrtimi i projektligjit, i cili ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor.
Të lidhura
None found
Në orën 23:39 u rikujtuan procedurat për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë, ndërsa kandidatët duhet të sigurojnë nënshkrimet e së paku 30 deputetëve.
Për dy raundet e para kërkohen të paktën 80 vota. Në rast se asnjë kandidat nuk e arrin këtë numër, në raundin e tretë kalojnë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në raundin e dytë. Në këtë fazë, zgjedhja bëhet me së paku 61 vota.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në raundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Mandati presidencial nis pas betimit para Kuvendit, zgjat pesë vjet dhe lejon vetëm një rizgjedhje.
Në orën 23:35 kishin mbetur më pak se 30 minuta deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit kishte nisur dhe në të pritej të zhvillohej votimi për presidente, si dhe shqyrtimi e votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, i njohur si Ligji për Gjykatën Speciale.
Zhvillimet erdhën pas një marrëveshjeje politike për kandidaturën presidenciale. Partia Demokratike e Kosovës pranoi propozimin e kryeministrit Albin Kurti që ish-ministrja e PDK-së, Justina Shiroka-Pula, të garonte për postin e Presidentes së Kosovës.
Kandidatura e Shiroka-Pulës u paraqit si pjesë e përpjekjeve për arritjen e një dakordimi politik dhe për shmangien e dështimit të procesit presidencial brenda afatit të përcaktuar. Në të njëjtën seancë pritej të procedohej edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i miratuar një ditë më parë në lexim të parë me 91 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime.
Në orën 23:32, deputetët u mblodhën në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Komisioni për Legjislacion nisi procedurat për t’i hapur rrugë votimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Projektligji ishte miratuar në lexim të parë më 5 tetor, por votimi përfundimtar kishte mbetur pezull për shkak të mospajtimeve politike.
Në orën 23:31 kaloi mocioni i propozuar nga LVV-ja. Brenda pak minutash pritej të niste seanca e jashtëzakonshme për Ligjin e Dhomave të Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.
Në orën 23:27 deputetët e Kuvendit të Kosovës nisën seancën e jashtëzakonshme për Specialen.
Po në orën 23:27, pas zhvillimeve të ditës, PDK-ja pranoi propozimin që Justina Shiroka-Pula të jetë kandidate për presidente, duke krijuar mundësinë për zhvillimin e procesit zgjedhor në Kuvend.
Në seancën e pritshme do të trajtoheshin dy çështje kryesore: zgjedhja e presidentes së re dhe miratimi në lexim të dytë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kryeministri Albin Kurti kishte propozuar që fillimisht të votohej projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen dhe më pas kandidatura e Shiroka-Pulës.
Një ditë më herët, Kuvendi kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara me 91 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
