Akademikja Justina Shiroka-Pula është propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për postin e presidentes së Republikës së Kosovës.
Ajo nuk ka bërë ende të ditur nëse do ta pranojë kandidaturën për këtë detyrë.
Të lidhura
None found
E pyetur nga mediat pas propozimit, Shiroka-Pula fillimisht ka deklaruar se nuk mund të fliste në atë moment për këtë çështje.
“Kam mysafirë nga Sarajeva”, ka thënë ajo.
Më vonë, akademikja ka sqaruar se ende nuk ka zhvilluar bisedat që i konsideron të nevojshme përpara se të marrë një vendim.
“Ende nuk kam folur me njerëzit me të cilët duhet”, ka deklaruar Shiroka-Pula.
Ajo ka theksuar se i duhet edhe pak kohë për të diskutuar dhe për të vendosur nëse do ta pranojë propozimin për presidente.
“Më duhet të diskutoj edhe pak para se të vendos”, ka thënë ajo.
Shiroka-Pula mban aktualisht postin e kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK). Në të kaluarën, ajo ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, si dhe deputete e Kuvendit të Kosovës.
Kandidatura e propozuar nga Kurti lidhet me përpjekjet për tejkalimin e ngërçit politik dhe zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
