Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzës, që të deklarojë publikisht se deputetët e grupit parlamentar të PDK-së do të jenë të pranishëm dhe do të votojnë për zgjedhjen e presidentes.
Të lidhura
None found
Sipas propozimit të Kurtit, Kuvendi duhet të mblidhet në një seancë me dy pika të rendit të ditës. Fillimisht do të hidhej në votim projektligji për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas do të procedohej me votimin për presidenten.
Kurti ka kërkuar që Hamza të dalë publikisht menjëherë pas tij dhe të zotohet se të gjithë deputetët e PDK-së do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka sqaruar se projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet para çështjes së presidentes, duke theksuar se vota e tyre për leximin e dytë të këtij projektligji është e sigurt.
“Ne po e votojmë projektligjin për Dhomat e Specializuara paraprakisht. Pra, jo më pas, përpara. Një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Dhomat e Specializuara e ka votën tonë. Dhe mandej votimi për presidente”, ka deklaruar Kurti.
Në kuadër të këtij propozimi, kryeministri në detyrë ka përmendur edhe Justina Shiroka-Pulën, e cila është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ish-ministre e PDK-së në Qeverinë Thaçi I.
