Ilir Deda ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike, duke vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë ende mundësi të dakordohen për hapat e ardhshëm. Sipas tij, një marrëveshje do t’i nxirrte të gjitha palët fituese, ndërsa mungesa e saj do ta zvogëlonte edhe mundësinë që Apeli të ketë sukses.
Të lidhura
None found
Në një reagim të publikuar në Facebook, njohësi i çështjeve politike paralajmëroi se mosarritja e një zgjidhjeje për leximin e dytë të Ligjit për dhomat e specializuara dhe për zgjedhjen e presidentit do ta linte vendin pa ligj, pa president, pa u.d. president, pa strategji të përbashkët dhe me humbje për të gjithë.
Deda theksoi se një situatë e tillë do ta dobësonte më tej mundësinë që Apeli të ketë sukses.
Sipas tij, LVV dhe PDK mund të merren vesh sot për hapat e ardhshëm, në mënyrë që rezultati të jetë në favor të të gjithëve. Në të kundërtën, ai tha se nuk ka asnjë garanci se pas zgjedhjeve të nëntorit akterët e njëjtë do të sillen ndryshe.
Deda paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e dështimit kolektiv dhe humbjes së çdo mundësie për sukses në vend, përfshirë edhe çështjen kryesore: pengimin e kriminalizimit të luftës së drejtë për liri.
