Daut Haradinaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, iu përball mediave gjatë protestës së mbajtur para Kuvendit, pas miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Të lidhura
None found
Në një pyetje të KosovaPress, Haradinaj deklaroi se e konsideron nder mundësinë për të votuar shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
“Kam qenë deputet dhe e kam ndier shumë nder nëse do të kisha pasur mundësinë. Personalisht e shoh si një moment historik për jetën e një deputeti të votojë sot në favor të shpërbërjes së gjykatës speciale, e në këtë rast për ndryshimin e ligjeve”, tha Haradinaj.
Projektligji u miratua në lexim të parë, ndërsa Haradinaj shpreson se deputetët do ta miratojnë edhe në votimin e dytë.
“E di se ka kaluar në lexim të parë, por shpresoj se deputetët, në emër të popullit dhe të qytetarëve që përfaqësojnë, si dhe të gjithë ata që protestojnë, jo vetëm në sheshin e Prishtinës por kudo në botë, do të kenë mundësinë historike ta votojnë sot”, deklaroi Haradinaj.
Ishkomandanti i Ushtrisë Çlirimtarët e Kosovës shtoi se, përveç Parlamentit të Republikës së Kosovës, nuk ka asnjë institucion tjetër që mund ta kundërtëjë vendimin e Hagës.
“Në demokraci, vota është ajo që e përcakton drejtimin e procesit. Nuk ekziston institucion tjetër kredibel, as në nivel botëror, përveç parlamentit të Kosovës. Nëse nuk votojnë, do të mbeten përgjegjës dhe do të përballen me përgjegjësi para qytetarëve”, tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi se nuk duhet të ketë ndarje partiake, sepse, në fund të ditës, vendimin e fundit e merr Parlamenti si organ i plotë në kuptimin e kompetencave.
Sipas tij, sot duhej të ishte në rend të ditës vetëm një pikë: miratimi i Projektligjit.
“Kjo seancë duhej të kishte si pikë të vetme të rendit të ditës ndryshimin e ligjeve të dhomave speciale dhe asgjë tjetër. Çdo ndërhyrje apo tendencë e tejkron edhe aktin moral të institucionit kredibel që është parlamenti”, përfundoi Haradinaj.
Ndryshimi i legjislacionit që ka të bënë me Dhomat e Specializuara ka nxitur protestë para objektit të Kuvendit gjatë gjithë ditës.
Sot në Kuvendin e Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u miratua në lexim të parë me 91 vota për dhe asnjë votë kundër.
Gjithashtu, në të njëjtën seancë u miratuan edhe disa projektligje të tjera.
