Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, e ka cilësuar votimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale si një çast historik dhe përcaktues për anëtarët e Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Ai ka rikujtuar se nisma tashmë është miratuar në lexim të parë, por sipas tij deputetët vazhdojnë ta kenë në dorë mundësinë për të vendosur në emër të qytetarëve që përfaqësojnë.
“Për mua personalisht, mendoj se për një deputet është akt historik dhe jetësor të votojë shfuqizimin e Gjykatës Speciale në këtë rast. E di që ka kaluar në lexim të parë, por shpresoj që deputetët, në emër të popullit dhe të qytetarëve që i përfaqësojnë, si dhe të gjithë protestuesve jo vetëm në Sheshin e Prishtinës, por kudo në botë, e kanë sot shansin historik për të votuar”, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, janë votat e deputetëve ato që do të përcaktojnë se si do të vijojë kjo çështje. Haradinaj u ka bërë thirrje atyre që të reflektojnë mbi përgjegjësinë që mbart vendimi i tyre.
“Ndërgjegjësimi është i rëndësishëm, sepse e kemi thënë: është vota ajo që përcakton se ku do të shkojë dhe çfarë drejtimi do të marrë ky proces”, është shprehur ai.
Haradinaj ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës është i vetmi institucion që ka autoritetin dhe legjitimitetin për të vendosur për këtë çështje.
“Nuk ka institucion tjetër kredibil në nivel botëror, përveç Parlamentit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ish-deputeti i AAK-së ka paralajmëruar se deputetët do të përballen me përgjegjësi politike dhe me detyrimin për t’u dhënë llogari qytetarëve nëse nuk e votojnë këtë nismë.
“Ata e kanë këtë shans, por nëse nuk votojnë, do të mbajnë përgjegjësi dhe do të japin llogari para qytetarëve”, ka deklaruar Haradinaj.
