Jules Kounde po kalon një periudhë të komplikuar te Barcelona, pasi minutat e tij në fushë janë pakësuar ndjeshëm dhe kjo ka bërë që disa prej klubeve më të mëdha të Ligës Premier të vëzhgojnë situatën e tij.
Të lidhura
None found
“Diario Sport” raporton se Chelsea, Arsenali, Liverpooli, Manchester United dhe Manchester City janë të interesuar për mbrojtësin francez.
Rënia e formës së 27-vjeçarit ka nisur që nga sezoni i kaluar. Kounde u përfol atëherë për një largim të mundshëm nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të verës, por në fund zgjodhi të qëndronte në “Camp Nou”.
Megjithatë, as sezoni aktual nuk ka sjellë ndryshimin e pritur për të. Francezi ka zbritur në hierarkinë e mbrojtësve të djathtë dhe aktualisht renditet pas Eric Garcias në zgjedhjet e trajnerit.
Situata është bërë edhe më e vështirë pasi Kounde nuk është aktivizuar në asnjë minutë në tri ndeshjet e fundit radhazi të Barcelonës.
Interesimi i klubeve angleze lidhet me përvojën e tij dhe me aftësinë për të mbuluar si krahun e djathtë të mbrojtjes, ashtu edhe pozicionin në qendër.
Deri tani, për Kounden nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare. Gjithashtu, futbollisti nuk po e shqyrton aktualisht mundësinë e largimit nga Barcelona.
Edhe drejtuesit katalunas nuk e kanë vendosur shitjen e tij në rend të ditës. Qëndrimi i klubit mund të ndryshojë vetëm nëse paraqitet një ofertë e konsiderueshme.
Nëse Kounde largohet, Barcelona ka nisur të shqyrtojë edhe opsionet për pasardhësin e tij. Në listën e monitorimit ndodhen Pedro Porro i Tottenhamit dhe Ivan Fresneda i Sportingut./
