Reforma administrativo-territoriale, shkaktoi përplasje mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e Partisë Demokratike, ngritën shqetësime për mënyrën se si po zhvillohet konsultimi i projektligjit me bashkitë.
Sipas tyre, Kuvendi po pengon nismën ligjore të opozitës.
Të lidhura
None found
Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, i mohoi këto akuza, duke deklaruar se propozimet e PD-së janë diskutuar në mbledhjet e mëparshme.
Oerd Bylybashi, deputet i PD-së: “Na informuat se shkresa për konsultimin ishte dërguar, por Durrësi nuk e ka marrë. Sot është planifikuar mbledhja e Këshillit Bashkiak dhe dokumenti nuk ka mbërritur. Me sa duket, e njëjta situatë është edhe në bashki të tjera. Kjo është një formë sabotimi. Kuvendi po e pengon qëllimisht nismën ligjore të opozitës, në mënyrë që ajo të mos konsultohet dhe të mos mblidhen qëndrimet përkatëse”.
Saimir Korreshi, deputet i PD-së: “Sot ka njerëz në rrugë për këtë çështje, përfshirë kryetarë bashkish të majtë, të tredhur. Gjatë gjithë kësaj kohe, presioni ka qenë 10 për të mos mbështetur këtë nismë ligjore. Në të gjithë botën, edhe bashkitë apo komunat me 1000-2000 banorë mund të shkrihen si gjalp. Bashkitë që synohet të shkrihen do të mbeten si kafaze pëllumbash. Nuk mund të vini në parlament me arrogancën se keni 83 deputetë, pasi të gjithë këshillat bashkiakë kanë votuar kundër nismës suaj ligjore. Ju flisni për 15 raporte bashkish që do t’i modifikoni, por ato nuk janë plastelinë. Prandaj prisni nismën tonë ligjore. Kjo nuk është reformë, por një nismë e njëanshme. Nëse vërtet doni të bëni diçka, të ulemi dhe të dëgjojmë njerëzit”.
Ulsi Manja, kryetar i Komisionit: “Propozimet tuaja i kemi shqyrtuar në dy mbledhje të njëpasnjëshme. Përse nuk kërkoni fjalën për të diskutuar në parim? Mund të shprehni qëndrimet tuaja politike si të dëshironi. Kjo çështje nuk futet në rend dite, pasi e kemi trajtuar më parë”.
