Edhe pas nisjes së zbatimit të afateve për zhvendosjen e kazinove, klubeve të automateve dhe bastoreve më larg institucioneve arsimore, shpenzimet në lojërat e fatit vijojnë të mbeten të larta.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe shtetasit e huaj kanë paguar pothuajse 1.6 miliardë euro për lojëra fati.
Volumi më i madh i parave është qarkulluar përmes aparateve të lojërave elektronike. Megjithatë, edhe kazinotë dhe bastoret vazhdojnë të kenë një peshë të rëndësishme në këtë treg.
Shifrat dëshmojnë se lojërat e fatit vijojnë të gjenerojnë transaksione të mëdha financiare, pavarësisht masave të reja që synojnë largimin e tyre nga shkollat dhe institucionet e tjera arsimore.
Operatorët e këtij sektori janë shprehur kundër zhvendosjes së lokaleve, duke argumentuar se masa nuk do ta zhdukë lojën e fatit, por mund të nxisë zgjerimin e aktiviteteve të paligjshme.
Argumenti i tyre është se largimi i kazinove, klubeve të automateve dhe bastoreve nga institucionet arsimore nuk do ta reduktojë domosdoshmërisht këtë veprimtari, por mund të bëjë që një pjesë e saj të kalojë në kanale jashtë kontrollit dhe mbikëqyrjes së shtetit.
