Një mesazh i publikuar në rrjetet sociale, ku kërkohet ekzekutimi i Rexhep Selimit “sapo të kthehet në trojet shqiptare”, ka shkaktuar reagimin e bashkëshortes së tij, Shqipe Mehmeti Selimi.
Shqipe Selimi e ka cilësuar këtë deklaratë si një çështje shumë serioze dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Shtetit të nisë hetimet, të zbulojë autorin e komentit dhe të ndërmarrë masat e parashikuara nga ligji, përcjell “Bota sot”.
Të lidhura
None found
“Përmes raportimeve në mediat e shkruara, sot mora dijeni për një koment të bërë publik në rrjetet sociale, përmes të cilit bëhet thirrje e drejtpërdrejtë për ekzekutimin e bashkëshortit tim, Rexhep Selimit.
Si bashkëshorte, por edhe si qytetare e Republikës së Kosovës, e vlerësoj këtë rast si jashtëzakonisht serioz. Një çështje e tillë nuk duhet dhe nuk mund të lihet pa u trajtuar nga institucionet përgjegjëse.
As kundërshtitë, as bindjet politike dhe as qëndrimet individuale nuk mund të përdoren për të arsyetuar thirrjet publike për vrasjen e një personi. Liria e shprehjes nuk mund të shërbejë si justifikim për nxitjen e dhunës.
Për këtë arsye, i drejtohem publikisht Prokurorisë së Shtetit me kërkesën që, brenda kompetencave të saj, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për hetimin e rastit, identifikimin e personit që ka bërë komentin dhe përcaktimin e përgjegjësisë së mundshme penale.
Kërkesa ime është vetëm zbatimi i ligjit dhe trajtimi serioz i një thirrjeje publike që synon marrjen e jetës së një njeriu.
Heshtja përballë një gjuhe të tillë, ashtu si edhe normalizimi i saj, është e papranueshme. Institucionet e drejtësisë duhet të garantojnë që raste të tilla të shqyrtohen sipas ligjit, pavarësisht se ndaj kujt janë drejtuar.”
