Shqipëria u mund 1–2 nga Finlanda në përballjen e Ligës së Kombeve, Liga C, megjithatë kuqezinjtë e drejtuar nga Rolando Maran zhvilluan një ndeshje të mirë dhe krijuan rrezik të vazhdueshëm në sulm.
Para daljes me karton të kuq të Etrit Berishës, përfaqësuesja shqiptare po kontrollonte ritmin e lojës dhe paraqitej më kërcënuese se kundërshtari, si në qarkullimin e topit, ashtu edhe në aksionet pranë portës finlandeze.
Të lidhura
None found
Ndërhyrja e panevojshme që solli përjashtimin e Berishës ndryshoi ekuilibrat e takimit. Më pas, goli i pësuar pas gabimit të Alen Sherrit e vështirësoi edhe më shumë situatën për Shqipërinë.
Pavarësisht inferioritetit numerik, Rolando Maran reagoi me zgjedhje taktike. Trajneri italian aktivizoi Mirlind Dakun dhe Myrto Uzunin, ndërsa Stavro Pilios i besoi një rol në mesfushën e majtë, edhe pse pozicioni i tij natyral është ai i mbrojtësit të majtë.
Daku pati një mundësi të artë për të rikthyer baraspeshën, por nuk arriti ta shfrytëzonte. Ndërkohë, Myrto Uzuni u ndëshkua me të verdhë për simulim, edhe pse Shqipëria pretendoi për penallti në minutën e 79-të.
Shifrat e ndeshjes tregojnë se Shqipëria goditi 5 herë në kuadratin e Finlandës, ndërsa vendasit e bënë këtë vetëm 3 herë. Për sa i përket rasteve të krijuara për shënim, kuqezinjtë regjistruan një vlerë xG prej 1.15, kundrejt 0.56 të Finlandës.
79′ Shqipëria kërkon penallti, por arbitri e ndëshkon Myrto Uzunin me karton të verdhë për simulim.
