Shumë drejtues përpiqen ta zgjasin sa më shumë furnizimin me karburant dhe vazhdojnë të udhëtojnë edhe pasi ndizet sinjalizimi i rezervës. Për disa prej tyre, kjo lidhet edhe me pamundësinë financiare për të mbushur rezervuarin në kohë.
Të lidhura
None found
Megjithatë, kjo sjellje mund të çojë deri në zbrazjen e plotë të rezervuarit dhe ndalimin e veturës gjatë lëvizjes.
Kur paralajmërimi shpërfillet dhe motori fiket për shkak të mungesës së karburantit, mund të lindin dëmtime të ndryshme. Në automjetet e vjetra, ndër problemet më të shpeshta ishin prishja e pompës së karburantit dhe bllokimi i injektorëve.
Veçanërisht motorët e vjetër dizel me injektim mekanik kërkonin ndërhyrje të vështirë për t’u rikthyer në punë pasi kishin ndaluar nga mungesa e karburantit.
Edhe modelet moderne nuk janë krejtësisht të paprekshme. Ndonëse motorët e rinj janë më rezistentë, përdorimi i vazhdueshëm i veturës me rezervë mund të bëjë që mbetjet dhe papastërtitë e grumbulluara në fund të rezervuarit të thithen dhe të hyjnë në sistemin e injektimit.
Sipas ADAC, me kalimin e kohës kjo mund të dëmtojë motorin dhe të sjellë shpenzime të larta për riparime.
Për këtë arsye, këshillohet që furnizimi me karburant të bëhet sa më shpejt pasi të ndizet drita e verdhë e rezervës, në vend që vetura të vazhdojë të drejtohet për një kohë të gjatë në atë gjendje.
