Përdorimi i komandave zanore në makinat e reja është përhapur ndjeshëm, por performanca e këtyre sistemeve nuk është e njëjtë në të gjitha automjetet.
Të lidhura
None found
ADAC, klubi gjerman i automobilizmit, analizoi funksionimin e tyre në 40 modele të ndryshme, duke testuar kontrollin e pajisjeve multimediale, klimës dhe disa elementeve të sigurisë.
Një prej rezultateve më të larta u shënua nga BMW Seria 5. Gjatë provës, ky model zbatoi me sukses 16 prej 18 komandave të kërkuara.
Në vlerësimin e përgjithshëm, 16 automjete nga 40 morën rezultatin “mirë”. Performanca më e fortë u vu re te funksionet multimediale, ku përfshihen navigacioni dhe radioja: 35 modele u vlerësuan “mirë” ose “shumë mirë”.
Kontrolli i klimës paraqiti më shumë kufizime. Pavarësisht kësaj, 26 automjete arritën vlerësim të mirë ose shumë të mirë edhe në këtë fushë, përfshirë komandat për rregullimin e temperaturës së kabinës.
Rezultatet më problematike u regjistruan te funksionet e sigurisë dhe sistemet e asistencës së drejtimit. Në këtë kategori, 32 makina u vlerësuan si të pamjaftueshme, pasi në shumë raste komandat zanore nuk mund të përdoreshin për aktivizimin e sinjalizuesve të emergjencës apo të disa paralajmërimeve të sigurisë.
Suzuki e-Vitara doli në fund të klasifikimit, duke realizuar vetëm tri nga 18 komandat e testuara. Vështirësi u evidentuan edhe te Dacia, ku butoni i komandave zanore në timon përdoret kryesisht për administrimin e telefonit të lidhur.
Sipas ADAC, komandat zanore janë veçanërisht praktike për përdorimin e navigacionit dhe radios, sepse shoferi mund t’i aktivizojë këto funksione pa e hequr vëmendjen nga rruga për të ndërvepruar me ekranin.
Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se kjo teknologji nuk e eliminon nevojën për butonat fizikë. Këta të fundit mbeten të rëndësishëm sidomos për funksionet e sigurisë, të cilat duhet të vihen në punë shpejt dhe drejtpërdrejt.
