Ministria e Financave njoftoi se ka pranuar vendimin e prokurorisë për hedhjen poshtë të kallëzimit penal të paraqitur nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës, të cilët pretendonin se buxheti komunal ishte bllokuar nga kjo ministri.
Të lidhura
None found
Sipas Ministrisë së Financave, ky vendim konfirmon se akuzat e zyrtarëve të Prishtinës nuk qëndronin dhe se puna e stafit të saj është zhvilluar në përputhje me dispozitat ligjore.
Ministria rikujtoi se Komuna e Prishtinës e kishte dorëzuar buxhetin për vitin 2025 me disa muaj vonesë, përtej afatit të përcaktuar me ligj dhe pasi Kuvendi kishte miratuar Ligjin e Buxhetit. Për këtë arsye, buxheti i komunës nuk ishte përfshirë në ligjin përkatës, duke pamundësuar alokimin dhe përdorimin e plotë të tij.
Përballë kësaj situate, drejtuesit e Komunës së Prishtinës akuzuan pa bazë zyrtarët e Ministrisë së Financave për bllokim të qëllimshëm të buxhetit dhe më pas paraqitën edhe kallëzim penal.
Ministria e Financave e vlerëson përfundimin e çështjes, duke theksuar se ai i cilëson të pabazuara akuzat ndaj stafit të saj. Institucioni përsëriti gjithashtu angazhimin për vijimin e punës profesionale.
