Mbrëmjen e kësaj të hëne, në studion e “Top Story” me Grida Dumën, është diskutuar lidhur me një nga temat më të nxehta të ditëve të fundit, skandalin në SHISH dhe masën e arrestit të vendosur ndaj ish-kreut të këtij institucioni, Vlora Hysenit.
Pjesë e panelit ka qenë edhe gazetari Artan Hoxha, i cili ngriti një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën se si është drejtuar Shërbimi Informativ i Shtetit dhe mbi përgjegjësinë politike që sipas tij lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e përzgjedhjes së drejtuesve të këtij institucioni.
Të lidhura
None found
Gazetari e vendosi theksin te roli i kryeministrit Edi Rama në emërimin e Hysenit, duke argumentuar se përgjegjësia për funksionimin e institucionit nuk mund të ndahet nga mënyra se si është zgjedhur drejtuesi i tij.
“Ti e nise me pyetjen, e kujt është përgjegjësia. Është e atij që erdhi në Rinas. Ne e dimë shumë mirë, aq sa e njohim, ai nuk e jep dorëheqjen. Sa më shumë të shtohen skandalet, ai nuk e jep dorëheqjen. Përgjegjësia thashë është e kryeministrit, atë zonjën e ka patur këshilltare dhe e vuri të SHISH. Tha se nuk flas direkt. Shërbimi sjell informacion dhe ti thua vlen apo jo. E kur diçka nuk shkon, thua çfarë po ndodh. Jemi në NATO dhe kemi objektivat që vijnë. Dhe kemi objektivat tona. Gjatë shërbimit të vet nuk kishte një dysh. Ndërsa Ergysi nuk është as biznesmen dhe as gangster. Është nga një familje shumë e mirë. U vendos të kishte një pikë mes krimit dhe shtetit, Gysi nuk vlen një lek pa e mbështetur ata poshtë dhe imunitetin nga ai lart. Kur del avokati i vet thotë që zyrtarisht nuk ka patur asnjë rol zyrtar. Miratim nga lart dhe propozim nga poshtë. Kur flet me Gysin ki parasysh se është një strukturë nga pas. Ra numri i vrasjeve, pse? Se ai kishte pushtet. Nga i buron kjo fuqi? Koordinatori i tretë mes krimit dhe shtetit”, tha Hoxha.
Një tjetër pikë e ngritur prej tij lidhej me historikun e Vlora Hysenit dhe marrjen e shtetësisë shqiptare. Sipas Hoxhës, Hyseni e ka marrë pasaportën shqiptare në vitin 2016, ndërsa emri i saj ka qenë pjesë e një liste të ardhur nga Kosova.
“Ka ardhur një listë nga Kosova dhe mes 10 personave ka qenë dhe ajo. Nuk i ka plotësuar kushtet, por i është dhënë për një arsye shtetërore”, tha Hoxha, duke e lidhur më pas emërimin e saj me periudhën kur ajo u bë këshilltare e kryeministrit dhe më vonë drejtuese e SHISH.
Gazetari ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të brendshëm të institucionit gjatë drejtimit të Hysenit, duke u ndalur veçanërisht te mungesa e një numri dy dhe komunikimet e drejtpërdrejta me persona të lidhur me çështjet e krimit të organizuar.
“Kur u bë drejtoreshë e Shërbimit nuk la numër dy, krijoi një lidhje direkte dhe bënte tre takime në ditë me një nga shefat kryesorë që merrej me krimin e organizuar. Pse me krimin e organizuar dhe pse duhej kaq shpesh ky kontakt?”, deklaroi Hoxha.
Po ashtu ai kritikoi mënyrën se si SPAK nxori masën e arrestit për Hysenin, në një moment kur ajo ishte jashtë shtetit. Sipas gazetarit kjo i dha mundësinë asaj që të “zhdukte” nga telefoni materiale që mund ta inkriminonin, po ashtu dhe vartësve të saj në institucion.
