Gazetari Gëzim Mekuli u ka bërë apel partive parlamentare që të gjejnë një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke e vlerësuar këtë proces si thelbësor për shtetin.
Sipas Mekulit, dallimet politike dhe interesat partiake duhet të lihen mënjanë, pasi rrethanat aktuale kërkojnë unitet institucional. Për ta ilustruar nevojën për kompromis, ai ka sjellë si shembull Norvegjinë, e cila në vitin 1905 zgjodhi një princ danez si mbret.
Të lidhura
None found
Shkrimi i plotë:
Kosovës i nevojitet një President, madje edhe nëse duhet të gjendet një zgjidhje e pazakontë.
Edhe nëse partitë kanë qëndrime të ndryshme, zgjedhja e Presidentit sot lidhet me ekzistencën e Kosovës dhe jo me interesat e ngushta partiake.
Prandaj, apeli im shkon për të gjitha partitë në Kuvend: uluni dhe bisedoni, kundërshtoni njëri-tjetrin, debatoni e ngrini zërin siç keni bërë zakonisht, por gjeni një zgjidhje për Presidentin.
Gjeopolitika ndërkombëtare ndodhet përballë shpërthimeve të paparashikueshme. Republika duhet të vendoset mbi partitë dhe inatet personale. Në Kuvend nevojiten uniteti dhe arsyeja e shëndoshë, jo emocionet; ndaj duhet treguar kujdes me çdo fjalë e formulim.
Të nderuar deputetë, mbrojtja e luftës mbinjerëzore të UÇK-së po zhvillohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Proceset gjyqësore-juridike ndaj UÇK-së në Hagë mbrohen brenda institucioneve të Republikës. Ky është mejdani ku duhet ushtruar presion publik e mediatik. Zgjidheni Presidentin, gjeni një President, krijojeni atë; edhe nëse duhet, huazojeni një President për të mirën e Kosovës, nëse nuk po arrini ta gjeni në botën shqiptare.
Norvegjezët vepruan në këtë mënyrë me mbretin e tyre. Në vitin 1905, pas shumë vuajtjesh, ata u bënë shtet i pavarur dhe “huazuan” një princ nga Danimarka për ta vendosur në krye si mbret, në interes të vendit. Ata nuk u kushtëzuan nga egot, inatet, partitë apo prejardhja, por kërkuan një zgjidhje urgjente që i shërbente kombit norvegjez dhe Norvegjisë si shtet.
Kompromisi nuk e dobësoi Norvegjinë. Edhe atëherë kishte zhurmë nga rrugët dhe kafenetë, por elita norvegjeze nuk u ndikua prej tyre. Përkundrazi, duke e vendosur shtetin në plan të parë, norvegjezët ndërmorën një hap të madh përpara.
Edhe ne sot, për ta mbrojtur Kosovën, duhet ta vendosim atë mbi interesat tona personale, ashtu si heronjtë dhe trimëreshat tona, si ata që u sakrifikuan për shqiptarizmin, lirinë, pavarësinë dhe mirëqenien, përmes vuajtjeve, sakrificave, gjamës e lotëve që nga viti 1878 e deri më sot.
Zgjidheni Presidentin, edhe nëse duhet të krijoni një zgjidhje të jashtëzakonshme. Nëse është e nevojshme, huazojeni atë, por bëjeni këtë hap. Kosova u përket të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim partie, gjinie, feje, nacionaliteti apo statusi social.
Mbi të gjitha, mos ia plotësoni dëshirat Gavrilloviqit, Çubrilloviqit, Andriqit, Millosheviqit dhe Vuçiqit.
